E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët të ulin në tryezë Ramën me Berishën



Eksperti i njohur për Ballkanin Prof. Franz-Lothar Altmann shprehet mbi ngjarjet e djeshme në Shqipëri. Politika shqiptare duhet të largohet nga retorika aktuale, apelon ai.

Prof. Altmann, demonstrata e djeshme në Tiranë përfundoi tragjikisht, të paktën katër viktima. A mund të çojë ky bilanc tragjik në një destabilizim të vendit?

Mendoj se vetë Shqipëria është e shokuar për mënyrën se si shkoi demonstrata dhe tani të shpresojmë që nga përfundimi tragjik i djeshëm i demonstratës të nxirren mësime dhe të frenohet disi retorika aktuale. Në këtë kuptim shpresoj që ne si vëzhgues dhe të shqetësuar në perëndim të mos shohim që situata të përkeqësohet më tej.

Në të vërtetë gjuha politike në Shqipëri është tejet e ngarkuar, madje agresive. Sa përgjegjësi mban politika shqiptare për një eskalim të tillë të situatës?

Mendoj se vërtet politikës tanimë i kërkohet të kthejë timonin. Dhe me këtë nënkuptohen politikanët që e përdorin një gjuhë të tillë. Prej vitesh kërkohet prej këtyre politikanëve që të përmbahen në retorikën e tyre. Unë mendoj tanimë se edhe nga ana e Bashkimit Evropian duhet thënë qartë: Shqipëria dhe ju politikanët shqiptarë doni që ta vazhdoni rrugën drejt Bashkimit Evropian. Por në BE një lloj retorike e tillë ka lënë një përshtypje shumë negative. Dhe ju duhet të shikoni edhe më larg, dhe të kuptoni se çfarë do të thotë kjo për imazhin e Shqipërisë.

Kur e dëgjon një gjuhë të tillë politike, sidomos në kohët e fundit mund të pyesësh se mos kanë nevojë disa politikanë për leksione në kulturën e komunikimit politik?

Në të vërtetë leksioni ishte ajo që ndodhi dje në Tiranë, domethënë se ku të çon një gjë e tillë. Demonstratat dhe protestat sigurisht do të bëhen, kjo është pjesë e demokracisë, por deri në ç'pikë mund të shkosh, këtë nuk mund t'ia mësojmë ne nga perëndimi Shqipërisë, ky është një proces i gjatë që duhet të bëhet aty. Por sigurisht tani do të vijnë edhe paralajmërimet nga Bashkimi Evropian. Pra siç e thashë; Doni ju të bëheni pjesë e BE-së? Pra tregoni kujdes se çfarë përshtypje po lini.

Demonstrata erdhi pas plasjes së skandaleve të fundit për korrupsion, me konsekuencën e largimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Energjitikës, Ilir Meta. Opozita që ka kohë që akuzon për korrupsion qeverinë Berisha kërkoi largimin e Berishës dhe qeverisë së tij. A duhet t'i përgjigjet Berisha kërkesës së opozitës?

Jo, nuk do ta quaja kështu. Kur një person vepron gabim, gjë që ende nuk është provuar përfundimisht, atëherë ky person duhet të marrë përgjegjësitë, edhe kështu ka ndodhur. Sigurisht dihet që opozita menjëherë e shtrin këtë tek e gjithë qeveria, dhe thotë shikoni se çfarë qeverie që kemi, por do të thoja që pasoja nuk duhet të jetë dorëheqja e të gjithë qeverisë. Natyrisht e gjitha kjo lidhet me protestat e vazhdueshme që janë kontestuar nga opozita, dhe me qëndrimin e fundit të qeverisë për djegien e fletëvotimeve, pra nga të dyja palët nuk është mënyra e duhur e procedimit me tjetrin.

Edhe pas demonstratës së djeshme pozicionet nuk janë afruar. Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama për tentativë për marrje të pushtetit me dhunë, ndërsa Rama bëri Berishën përgjegjës për eskalimin e djeshëm. Si do të vijë kompromisi në këto kushte?

Po ja një përpjekje e bëri Presidenti i Republikës për të gjetur gjuhën e zbutjes së gjendjes dhe të ndikojë si autoritet mes dy kampeve. Nga ana tjetër mendoj se ambasadat perëndimore duhet të përpiqen që të ulin në një tavolinë dy kundërshtarët Berisha dhe Rama, dhe t'i bindin për lëshimin e një deklarate të përbashkët, t'i drejtohen opinionit, kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve. Ne do të përpiqemi të qetësojmë gjendjen në vend. Por kjo kërkohet nga të dy kundërshtarët politikë. Nga Berisha, që në mënyrë konstante vazhdon të mos e marrë në dorë çështjen e akuzave për manipulime zgjedhore, por edhe nga Edi Rama që me partinë e tij, nganjëherë mund të thuash gati në mënyrë jodemokratike, kujtoj këtu bllokimin e parlamentit, përdor metoda që nuk janë konstruktive.

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

Stinner: Palët të kthehen tek arsyeja

Zëdhënësi për politikën e Jashtme të Fraksionit të liberalëve demokratë (FDP) në Parlamentin gjerman tregon këtë qëndrim ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri.

Si mund të interpretohet përshkallëzimi i krizës politike në Shqipëri?

Fillimisht duhet të themi që kemi të bëjmë me një demostrim kundër qeverisë. Në shtetet demokratike një gjë e tillë është normale dhe nuk përbën problem. Ne duhet të shohim me kujdes nëse demostruesit kanë ushtruar dhunë: Nëse po, unë e dënoj këtë, por, po ashtu, ne duhet të shohim nëse organet shtetërore janë sjellë ashtu siç i takon. Tre të vdekurit janë një shenjë alarmuese për situatën. Kryeministri Berisha ka pretenduar se në valën e ngjarjeve në Tunizi, janë bërë plane për rrëzimin e qeverisë. Ky është një pretendim që për mua nuk është dëshmuar se qëndron. Nga ana tjetër, unë mund të them edhe se ne kemi në Shqipëri një qeveri të zgjedhur dhe unë vëzhgoj në shumë vende, që nëse qeveria nuk gjen mbështetje, atëherë kërkohen zgjedhje të reja ose largim i qeverisë. Në kontekstin evropian, Shqipëria kërkon të afrohet me Europën, dhe normale është që ndryshimet në pushtet të bëhen nëpërmjet zgjedhjeve. Prandaj, unë mbroj mendimin që nëse nuk shfaqen parregullsi të tjera të mëdha, atëherë edhe në Shqipëri të ruhet modeli europian i ndryshimeve të strukurave të pushtetit politik.

Në Shqipëri është provuar disa herë që vullneti politik të vendoset me dhunë. Si mund të ndihmohet Shqipëria që të heqë dorë nga dhuna dhe t`i kthehet rrugëve të tjera demokratike? Çfarë mund të bëjë Evropa dhe Gjermania?

Ne vetë nuk mund të ndërhyjmë. Ne vetëm mund të dërgojmë apel duke kërkuar që edhe në Shqipëri të ndiqet modeli evropian, që ndryshimet politike të bëhen me zgjedhje. Ne mund t`i bëjmë të qartë Shqipërisë, se organet shtetërore super-represive që shkaktojnë të vrarë nuk përshtaten me modelet demokratike, por nga ana tjetër edhe të themi qartë se ndryshimet politike duhen bërë me zgjedhje. Më shumë se të dërgojmë apele dhe të themi se rruga e Shqipërisë drejt Evropës do të bëhet shumë e vështirë nëse këto parime evropiane nuk nguliten edhe në Shqipëri, nuk mund të bëjmë.

Në Shqipëri janë shtuar zërat që thonë se ndërkombëtarët nuk lëvizin....

Është e lehtë ta thuash. Nuk lëvizin fare do të thotë... çfarë të bëjmë ne? Të dërgojmë ushtarë atje? Unë nuk mendoj se nëpërmjet ushtarëve ne mund të sjellim ndryshimet e duhura. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, dhe përpiqet të gjejë rrugët për tu bërë politikisht pjesë e Evropës. Prandaj edhe në Shqipëri duhet të futen standartet evropiane. Ky është apeli që drejtojmë ne nga Evropa dhe nga Gjermania. Por unë nuk mendoj se ne mund të ndërhyjmë direkt.

A ka ndonjë skenar të keq të cilit ju mund t`i trembeshit për Shqipërinë?

Unë vetëm mund të shpresoj që ditët e ardhshme të kthehet arsyeja tek të gjitha palët, që nga njëra anë të sqarohen konfrontimet e dhunshme dhe në qoftë se ka patur gabime në sjelljen e organeve shtetërore, ato të ndiqen si duhet dhe nga ana tjetër ndryshimet politike të bëhen me zgjedhje siç është e zakonshme në Evropë.

Intervistoi Aida Cama

24 Janar 2011

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›