E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Spitalin Ushtarak, 3 policë dhe 3 protestues në gjendje të rëndë



Lizeta Duro

Dy ditë pas demonstratës së 21 janarit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mjekët e Spitalit Ushtarak dhe të qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" raportojnë për mbi 30 policë të plagosur dhe rreth 65 persona civilë të lënduar. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e 3 policëve dhe 3 civilëve është e rëndë dhe se këta persona ndodhen nën mbikëqyrjen mjekësore të mjekëve të Spitalit Ushtarak. "Nën mbikëqyrjen e mjekëve, për shkak të situatës së tyre të rënduar shëndetësore, janë tre policë dhe tre pacientë të tjerë civilë. Një i plagosur ndodhet në reaminacion, është plagosur me plumb në kokë dhe vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë. Ky është civil, është dhe një polic i goditur nga turma, që është me gjak në tru, po ka sasi të tillë që nga konsultat e shpeshta që janë bërë nuk ka nevojë për t’u operuar. Është diçka pozitive që i plagosuri arrin të komunikojë, megjithatë është me gjak në tru dhe mbahet me kujdes në reaminacion. Gjendja shëndetësore e të lënduarve të tjerë të shtruar këtu, në përgjithësi është e kënaqshme", - u shpreh dje Hali Lila, mjek kirurg në Spitalin Ushtarak. Sipas drejtorit të këtij spitali, aty kanë ardhur vetëm katër persona të plagosur me armë zjarri.

Bilanci
Në regjistrin e Spitalit Ushtarak, bilanci përfundimtar ka qenë: 27 policë të lënduar dhe 33 civilë. Ndërsa në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" janë regjistruar rreth 29 persona që kanë marrë ndihmë mjekësorë. "U paraqitën 6 policët e parë të plagosur me mjete të forta, plus pastaj filluan të mbërrijnë dhe protestues. Dhe këta me plagë të forta ishin më tepër në pjesën e kokës. Numri total është 29 veta", - theksoi Ylli Ziçishti, shef në Urgjencën Kirurgjikale në QSUT. Ndërkohë, mjekët e Urgjencës shprehen se janë në gatishmëri të plotë dhe kanë marrë të gjitha masat për çdo lloj situate. Dje, gati të gjithë pacientët e kanë lënë Urgjencën Kirurgjikale të QSUT-së për t’u kthyer në shtëpi, vetëm njeri prej tyre vazhdon të marrë shërbimin shëndetësor sepse vazhdon të jetë i lënduar.

Situata
Mjekët e Spitalit Ushtarak dhe atij civil të QSUT-së u shprehën se pjesa më e madhe e të lënduarve, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë kthyer në shtëpi. Sipas mjekëve, plagët e tyre ishin të shkaktuara nga mjere të forta dhe jo armë zjarri. “Si pasojë e demonstratës së dhunshme të një dite më parë, vetëm ata që janë plagosur me armë zjarri dhe ata që janë lënduar rëndë kanë qëndruar për shërbim mjekësor të mëtejshëm, të tjerët e kanë lënë spitalin pak orë më vonë. Pra, pjesa më e madhe e të shtruarve kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe nuk kanë qëndruar të shtruar në spital. Pastaj kanë ardhur rrallë persona, të cilët pothuajse të gjithë janë përcjellë në shtëpi”, - u shpreh dje Hila.

TIRANA
Pas trazirave, gjurmët e dhunës ende në shesh

Një ditë pas demonstratës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjurmët e dhunës gjendeshin ende në shesh. Edhe pse automjetet qarkullonin lirshëm, një pjesë e madhe përpara godinës së Kryeministrisë është e rrethuar nga shiriti që identifikon një skenë krimi. Grupe të uniformave blu dhe automjete të policisë shiheshin rreth Kryeministrisë, ndërsa mbeturinat e pankartave, shisheve plastike dhe gurë, ndodhen ende aty ku i lanë një ditë më parë demonstruesit opozitarë. Mirëmbajtësit e rrugës kanë kryer një pastrim rutinë, pa mundur të heqin nga bulevardi gurët apo pllakat që përdorën protestuesit kundër efektivave të policisë. Edhe automjetet e djegura kanë vazhduar të qëndrojnë që nga pasditja e së premtes pranë Piramidës si dëshmi e një lufte të ashpër. Protestuesit shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale. Ata shkulën pllaka nga bulevardi, thyen xhamat e dyqaneve te Kullat Binjake, dogjën pemët dhe shkatërruan muret dhe bordurat e Bulevardit.

LËVIZJA “MJAFT”
“E dënueshme hapja e zjarrit”

Në një deklaratë për shtyp, lëvizja “Mjaft” ka dënuar dhunën ushtarake të ushtruar nga strukturat shtetërore gjatë protestës së opozitës. “Të gjithë jemi dëshmitarë të përshkallëzimit të dhunës nga mungesa e një menaxhimi profesional të situatës nga ana e institucioneve përgjegjëse. Plumbat mbi qytetarët e paarmatosur nuk mund të justifikohen kurrsesi dhe asnjë lloj ligji, rregulli apo kodi moral nuk mund të përdoret si bazë për shfajësimin e kriminelëve. Humbja tragjike e tre qytetarëve shqiptarë dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve në duart e një regjimi që tashmë po i përgjigjet protestave me plumb e hekur, dëshmon se fantazmat traumatike të së shkuarës janë ende të pranishme në jetën politike e shoqërore të vendit. Theksojmë se sot, në vitin 2011, Shqipëria nuk mund të lihet të gremiset në skenarë që të kujtojnë ngjarjet makabre të 15 viteve më parë”, - thuhet në deklaratën e lëvizjes “Mjaft”. Sipas Mjaft-it, hapja e zjarrit mbi turmën, bashkë me plagët fatkeqe që u shkaktoi qytetarëve shqiptarë, thërrmoi njëherë e mirë edhe petkun e rremë të demokracisë funksionale e përfaqësuese që Ekzekutivi shqiptar ka veshur tashmë prej dekadash.

ORGANIZATAT
Paketë propozimesh për zgjidhjet politike

Ditën e hënë do të mblidhen 100 organizata të shoqërisë civile që veprojnë në vendin tonë në një tryezë të përbashkët, si një kundërpërgjigje ndaj situatës së krijuar më 21 janar në Tiranë. Qëllimi i tryezës me temën “Shoqëria civile për situatën aktuale” është që të përgatitet një paket propozimesh të shoqërisë civile drejtuar klasës politike për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes.

24 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›