E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, 30% zgjedhin anglishten te formulari A1

• Rreth 30% e maturantëve kanë zgjedhur këtë vit anglishten, si lëndë me zgjedhje.

zirina llambro

Kjo për faktin se ka koeficientin më të lartë. Ministria e Arsimit publikon shifrat, duke e cilësuar numrin e lartë të tyre si një arritje të reformës "Shqipëria Anglofone". "Nga të dhënat e plotësimit të formularit A1, rezulton se 8.700 maturantë kanë zgjedhur anglishten, si një nga lëndët me zgjedhje", sqaron MASH. Një vit më parë, këtë provim e dhanë 7.238 maturantë ose 22% e tyre. Sipas këtij dikasteri rritja e numrit të maturantëve, që do të japin provim anglishten është një nga efektet e matshme të nismës "Shqipëria Anglofone", të lançuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, në mars të vitit të kaluar.
"Kjo nismë favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të nxitet mësimi i kësaj gjuhe për të qenë sa më kompetitivë në tregun global të punës', nënvizuan specialistët e MASH. Sipas tyre, kandidatët e tjerë që nuk kanë një anglishte të mirë, apo janë njohës të një gjuhë tjetër të huaj, nuk janë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitet e kaluara, ata duhet të zgjedhin lëndët, ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet, që duan të ndjekin për shkollë të lartë. Por veç gjuhëve të huaja është parë si prioritare edhe gjuha shqipe. Ajo që nga vjet është pjesë e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Mbi 30.000 maturantë do të testohen për njohuritë në gjuhën shqipe, lëndë që për vite me radhë u la pas dore, duke sjellë jo pak pasoja në nivelin e nxënësve. Ndryshe nga norma botërore, gjuha amtare ishte përjashtuar nga kurrikulat e arsimit të mesëm të përgjithshëm, dhe si pasojë nxënësit nuk testoheshin për gjuhën shqipe as në provimet e maturës. Në testimin për provimin e detyruar të gjuhë-letërsisë, 20% e kërkesave do të jenë për gjuhën shqipe, një lëndë që në të ardhmen, së bashku me programin zyrtar do të jetë një ndër lëndët kryesore në provimet e Maturës. Dy lëndët me zgjedhje janë vendimtare për pranimin e maturantëve në shkollat e larta. Forma e testimit ka pësuar ndryshime. Provimi nuk do të përmbajë 100 pyetje, siç është aplikuar më parë, por vetëm 20 të tilla. Për secilën lëndë me zgjedhje, që do të japin maturantët fleta e provimit do të ketë 20 pyetje. Prej tyre 10 do të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim. Për çdo përgjigje të saktë të këtyre të fundit maturanti do të marrë 3 pikë, ndërsa vlerësimi për të njëjtën përgjigje, tek pyetjet me alternativa do të jetë 1 pikë. Pikët maksimale që do të grumbullojë nxënësi për njërën nga lëndët me zgjedhje do të jenë 40. Specialistët kanë vendosur që peshën më të madhe të testit ta zënë pyetjet me zhvillim, ato me alternativa zënë vetëm 25% të vlerësimit. Ndryshe nga një vit më parë, kohëzgjatja e provimeve me zgjedhje këtë vit do të jetë 4 orë.

lenda e anglishtes

MATURA 2006
Formularë A1
27. 642
Gjithsej Anglisht
2. 971 Ose 11%

MATURA 2007
Formularë A1
32. 302
Gjithsej Anglisht
7. 238 Ose 22%

MATURA 2008
Formularë A1
Mbi 30.000 
Gjithsej Anglisht
Mbi 8.700 Ose 30%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›