Instalimi i kasave fiskale, bizneset kundërshtojnë kushtet e Ministrisë së Financave
Ervin KOÇI
Procesi i instalimit të kasave fiskale në subjektet e biznesit të madh, synon që të kthehet prej qeverisë në një tjetër instrument prej nga ku ajo kërkon të kanalizojë derdhjen e detyrimeve tatimore dhe fiskale për të gjithë subjektet dhe individët. Pasi ka dështuar me proceset e një pas njëshme të amnistive si për taksat e makinave, për gjobat e papaguara nga biznesi në tatime dhe dogana, apo për të tjera procedura që në thelb mbartin problemin e mospagimit të detyrimeve ndaj shtetit, qeveria po synon që këtë herë ta kanalizojë sistemin e pagesës së detyrimeve në procesin e kasave fiskale. Por metoda që konkretisht Ministria e Financave ka servirur për subjektet e biznesit të madh së bashku me instalimin e kasave, ka një kosto tepër të lartë për subjektet. Për këtë arsye biznesi është ulur në bisedime me specialistët e Ministrisë së Financave, por deri tani nga përfaqësuesit e shoqatave të biznesit është mësuar se dialogu nuk ka dhënë asnjë rezultat. Të parët që kanë hasur në probleme kanë qenë subjektet e tregtimit me pakicë të karburanteve, të cilët janë vendosur përballë disa kushteve mjaftë të vështira. Sipas pretendimeve të Financave, të gjithë personat që kanë probleme me shtetin në mospagesën e taksave të makinave, ose me distributorin për efekte detyrimesh, nuk do të mund të furnizohen me karburant. Identifikimi i tyre do të vijë përmes serverit të instaluar në kasën fiskale, në momentin e shënimit të të dhënave, si emri dhe targa e automjetit. Forma e re është përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Financave, sipas së cilës, në pajisjen fiskale do të jetë e instaluar vetëm për shoqëritë e karburanteve të shitjes me pakicë "lista e zezë".
Skema
Pronarët e distributorëve të karburantit dhe përfaqësuesit e shoqatave të hidrokarbureve i kanë kundërshtuar dje skemat e Financave për modelin që ato servirin për instalimin e kasave fiskale. Sipas skemës, nëse automjeti është në listën e zezë, njësia e ndërfaqes i dërgon komandën regjistruesit elektronik fiskal: "Ndalohet furnizimi me karburant". Në këtë rast, shkruhet mesazhi në ekranin e regjistruesit elektronik fiskal "automjeti është në listën e zezë". Kjo është vetëm njëra pjesë e udhëzimit, i cili po kundërshtohet nga shoqëritë e karburanteve. Një pjesë e mirë janë ankimuar në Ministrinë e Financave, duke e cilësuar si "gafë të radhës", ndërsa po mundohen të gjejnë zgjidhjen. Nga ana e saj, ministria sqaron se instalimi i listës së zezë në kasat fiskale të pikave të karburantit lidhet me çështjen e sigurisë dhe me evazionin fiskal. Identifikimi i targave të automjeteve do të jetë më e lehtë për qeverinë, për të parë shpenzimet, si për administratën shtetërore ashtu edhe për efekt të deklarimit tatimor. "Të gjitha shitjet duhet të regjistrohen në memorien fiskale dhe çdo pikë karburanti për secilën pompë duhet të pajiset me regjistruesin elektronik fiskal të pompës",- thuhet në pikën 3 të udhëzimit. Kjo pjesë, tregtarëve u nuk shkon për shtat, pasi e rrit artificialisht kostot.
Regjistrimi
Mësohet se udhëzimi i përgatitur nga ministria në muajin dhjetor 2008, është marrë e kopjuar nga Maqedonia, por që vështirë të zbatohet në vendin tonë. Shoqëritë ankohen, me faktin se nuk mund të bëjnë rolin e policit dhe se detyra e tyre është mbajtja në rregull e faturave tatimore. Tjetër procedurë e komplikuar është regjistrimi i të dhënave personale në momentin e marrjes së kuponit tatimor, pasi automjeti është furnizuar me karburant. Procesi i pajisjes së biznesit me kasat fiskale po has vështirësi, veçanërisht për sektorin e hidrokarbureve, i cili për efekt të specifikës i duhet të kryejë një sërë shpenzimesh shtesë për plotësimin e pajisjes. Pasi ka dëgjuar ankesat, Ministria e Financave ka pranuar të kryejë disa ndryshime në udhëzim, të cilat priten të publikohen së shpejti. Aktualisht është ngritur një grup pune në ministri, ku bëjnë pjesë shoqëritë e hidrokarbureve, distributorët e kasave, IQT-ja dhe nga tatimet, nga ku pritet zgjidhja sa më e shpejtë e problemit. Afati i fundit është data 31 maj, në të kundërt do të vendosen gjoba deri në 100 mijë lekë të reja. Fiskalizimi i pajisjeve fiskale kryhet në ambientet e shoqërive të licencuara, me përjashtim të pikave të karburanteve, për të cilat fiskalizimi kryhet në ambientet e pikës së tregtimit pas nënshkrimit të kontratës me distributorin.
Çfarë përmban “lista e zezë” e Financave
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, lista e zezë përmban të dhënat mbi automjetet që kanë kryer shkelje ligjore të qarkullimit rrugor. Brenda saj janë të vendosur emrat dhe targat e individëve që kanë probleme me shtetin, të kërkuar nga policia dhe me detyrime të papaguara tatimore e doganore. Të dhënat në server do të hidhen nga Drejtoria e Rrugëve, Policia e Shtetit, Doganat dhe Tatimet, për çdo individ që lidhet me elementët e mësipërm. Shoqëritë janë kundër kësaj forme, duke e lidhur me faktin se nuk mund të luajnë rolin e policit. Por për Ministrinë e Financave, shërbimi i listës së zezë, më së shumti ndikon në identifikimin e xhiros dhe shpenzimeve, për qëllime tatimore.
29 Maj 2009