Marrëveshja, emigrantëve do tu dërgohet pensioni në vendet ku jetojnë
Emigrantët shqiptarë do të mund ta marrin pensionin nga vendi ku jetojnë pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri. Gjithçka do të bëhet e mundur falë marrëveshjes që Instituti i Sigurimeve Shoqërore(ISSH) në Tiranë, pritet të nënshkruajë së shpejti me partnerët italianë të INAS-CISL, i cili është edhe Instituti më i madh i asistencës sociale për emigrantëve në Itali. Në vijim të protokoll-marrëveshjes së nënshkruar mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe partnerëve italianë të INAS-CISL, u zhvillua dje në Tiranë një takim mes drejtuesve të këtyre institucioneve. Në fjalën e saj, drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi theksoi se “ne kemi rënë dakord për zgjerimin e marrëveshjes që ky protokoll të funksionojë në të gjitha degët që ka INAS-CISL edhe në Kanada, SHBA dhe të gjitha vendet evropiane, ç’ka do t’u japë mundësinë e informimit edhe shqiptarëve që ndodhen në këto vende lidhur me historikun kontributiv dhe ndryshimet në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, Koldashi ka bërë të ditur se pritet që së shpejti të arrihet edhe një marrëveshje e re, që përmes bashkëpunimit me bankën “Intesa San Paolo” të bëhet i mundur transferimi i pensioneve për të gjithë pensionistët që dëshirojnë ta tërheqin atë në vendin ku jetojnë. Falë marrëveshjes së nënshkruar, të gjithë emigrantët shqiptarë, që jetojnë në Itali do të të mbledhin informacione për historikun e tyre kontributiv që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme që ata të shpenzojnë kohën dhe pushimet e tyre në vend për të marrë këtë informacion. Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga emigrantët, do të bëhet pranë qendrave ku jetojnë dhe punojnë në sportelet e bankës “Intesa San Paolo” në Itali. Kjo bankë do të bëj njëherë në muaj xhirimin e kontributeve të paguara në llogaritë e ISSH-së së bashku me formularët dhe dokumentet shoqërues. ISSH-ja do të bëjë monitorimin e të gjithë këtij procesi si dhe evidentimin e periudhave të sigurimit nga emigrantët për efekt të përfitimit të pensionit.
29 Maj 2009