Energjia nga burimet e pastra, 5 kompani italiane studiojnë tregun shqiptar
Investitorët italian po shohin mundësinë e prodhimit të energjisë në Shqipëri nga burimet e rinovueshme. Një delegacion në përbërje të së cilit janë 7 kompani italiane, nga të cilat 5 në fushën e energjisë së rinovueshme po studiojnë tregun shqiptarë për të zbatuar projekte konkrete kryesisht në prodhimin e energjisë nga era dhe biomasa. Drejtuesit e Institutit Italian të Tregtisë shpjegojnë se me interes është i gjithë territori i vendit.
“Shqipëria është interesante në çdo zonë në jug të vendit po mendohet për ngritjen e impianteve eolike, për prodhimin e energjisë nga era. Ndërsa në veri ka mundësi të shumta nga burimet hidrike, mbetet vetëm të zgjedhës. Ekzistojnë projekte konkrete që do të zbatohen në të ardhmen”,- u shpreh Drejtori i Institutit Italian të Tregtisë, Francesko Vitelli. Ndërsa biznesmeni italian Fabio Paneta, shtoi se “mendojmë se tregu shqiptarë për energjinë e rinovueshme është shumë interesant. Me delegacionet që kanë mbërritur tashmë në Shqipëri janë 5 kompani që operojnë në fushën e energjive të rinovueshme dhe që kanë interes për Shqipërinë”. Investitorët italian janë të pranishëm tashmë në Shqipëri me shumë projekte e energjisë elektrike jo vetëm në burimet e reja prodhuese, por edhe në sektorin e transmetimit nëpërmjet ndërtimit të linjës të interkonjeksionit Shqipëri- Itali.
Konsumi i energjisë, 61 për qind përdoret nga abonentët familjarët
Konsumi i energjisë elektrike gjatë 2 muajve të parë të vitit 2009 nuk ka shënuar ndryshime të theksuara në krahasim me vitet e mëparshme. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj, thekson se, konsumatorët familjarë mbeten përdoruesit kryesorë të energjisë me 61 për qind të tregut, të pasuar nga sektori privat dhe institucionet shtetërore, që përbëjnë 25 dhe 14 për qind respektivisht të kërkesës. Ndërkohë që humbjet në sistemin e shpërndarjes vazhdojnë të mbeten problematike edhe gjatë fillimit të këtij viti. Ekspertët shprehen se rritja e këtij treguesi me 22 për qind në terma vjetorë ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së humbjeve joteknike me 23.4 për qind. Ndër faktorët më të rëndësishëm mund të përmendet raporti i humbjeve ndaj prodhimit neto, i cili u zvogëlua me 5.2 pikë përqindje, në terma vjetorë.
Nafta, çmimi i kalon 63 dollarët për fuçi në bursa
Në prag të mbledhjes së organizatës OPEC, nafta ka pësuar një tjetër rritje, duke kapërcyer kufirin e 63 dollarë për fuçi, me një ndryshim prej 0.88 për qind. Statistikat tregojnë se niveli aktual i naftës, me rreth 63.45 dollarë për fuçi është maksimumi i arritur në gjashtë muajt e fundit. Në bursën e Londrës, nafta Brent e Detit të Veriut, pësoi një tkurrje me 0.95 për qind, duke prekur çmimin e 61,82 dollarë për fuçi, pasi kuotës prej 62.29 dollarë. Ndikim në luhatjen e tregjeve të naftës ka dhënë veçanërisht optimizmi i konsumatorëve amerikanë, për një rimëkëmbje të ekonomisë. Ndërkaq, në tregjet aziatike, çmimi i naftës rezulton i qëndrueshëm, kurse në bursën e Nju Jorkut ka pasur rritje. Në bursën e mallrave në Singapor, nafta u kuotua me rreth 62.47 dollarë për fuçi, me një rritje gati 0.02 dollarë, krahasuar me dy ditë më parë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, ndikimi i çmimit të naftës në tregjet e huaja do të pasojë edhe në vendin tonë.
29 Maj 2009