E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, Gjuha Shqipe 30% të testit në provimin e parë



Provën e parë të Maturës Shtetërore, nxënësit e shkollave të mesme duhet ta kalojnë më 1 qershor. Për ta kapërcyer me sukses, nuk duhet t’i përkushtohen vetëm Letërsisë por edhe Gjuhës Shqipe. Duke iu referuar programeve orientuese, që tashmë ata kanë në duar, Gjuha do të zërë 30 për qind të testit. çka do të thotë se minimalisht 7 pyetje nga totali, prej 25 të tillash, do të jenë pikërisht nga kjo lëndë. Pjesa tjetër do të përbëhet nga pyetje të fushës së letërsisë. Përjashtim do të bëjnë vetëm shkollat e mesme të përgjithshme, ku gjuha do të zërë 40 për qind të tezës (10 pyetje). Veç ndarjes së peshës, që do të zërë Gjuha dhe Letërsia në provim, maturantët kanë mundësi të përqendrohen edhe në temat të cilat kanë më shumë probabilitet t’u bien në test. Ndër pyetjet e Letërsisë, më shumë se gjysma i përkasin Letërsisë Shqipe. Letërsia botërore do të zërë gjithashtu një vend të rëndësishëm ndërsa në fund është folklori, me 1 ose 2 pyetje. Sa i përket Gjuhës Shqipe, të shkruarit zë peshën më të madhe të provimit me 2 ose 3 pyetje, ndërsa në shkollat pedagogjike, do të ketë 5 pyetje nga morfologjia. Pjesa tjetër e pyetjeve (5-6) do të përbëhen nga pjesët e tjera të lëndës. Ashtu si dhe vitin e kaluar, testi për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim (37 pikë). Për të pasur rezultate maksimale, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Nxënësi, i cili është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Lëndën e letërsisë, nxënësit e gjimnazeve do ta japin më 1 qershor, ndërsa Matematikën në datë 15 qershor. Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin edhe lëndët me zgjedhje më datë 30 qershor. Sipas specialistëve, më probabilitet për tu shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që kanë përcaktuar për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficientëve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme. Afati i fundit për dorëzimin e formularit të plotësuar është përcaktuar data 10 mars 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›