E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznisë i shkatërrojnë autobusin në Peqin



Më në fund është luajtur ndeshja e prapambetur e javës së parë të fazës së tretë, midis Shkumbinit dhe Vllaznisë. Në Peqin, këtë herë nuk ka fitues, teksa të dy skuadrat kanë ngecur në një barazim pa gola. Ishte një takim që u kondicionua së tepërmi nga terreni i papërshtatshëm i fushës së stadiumit të Peqinit. Edhe pse bardhekaltërit dominuan totalisht, nuk e gjetën golin në portën e Grimës.
Incidenti
Dhunë jashtë fushës. Autobusi i skuadrës së Vllaznisë, është bërë dje objekt i sulmit të rreth 10-12 tifozëve të rinj peqinas, të cilët kanë goditur pa mëshirë me gurë, duke thyer shumicën e xhamave të këtij automjeti. Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas ndeshjes Shkumbini-Vllaznia, kur autobusi i kuqebluve nisi udhëtimin për në Shkodër. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport”, nga vetë trajneri i Vllaznisë, Edi Martini. “Jemi të shokuar për atë që ndodhi. Nuk e kuptuam, por kur nuk kishim as 5 minuta që kishim nisur udhëtimin drejt Shkodrës, një grup adoleshentësh, që qëndronin afër një kazani plehrash kanë nisur të godasin me gurë. Xhami kryesor i autobusit është thyer tërësisht, ndërkohë që edhe shumica e atyre anësorë. U habitëm, pasi nga pas kishim edhe policinë që na shoqëronte. Gjithsesi, e rëndësishme është që asnjë nga lojtarët nuk pësoi ndonjë lëndim. Normalisht, disa rrezikuan të merrnin plagë të rënda, e sidomos ata lojtarë që ishin direkt në krah të xhamit, gjithashtu edhe shoferi i autobusit. Megjithatë, nuk duhet të mohojmë se në fushë ka qenë gjithçka korrekte. Kjo ishte vërtet e habitshme, pasi kurrsesi nuk e prisnim një gjë të tillë, sepse u ndamë në mënyrën më të mirë me kolegët tanë peqinas. Ishin 10-12 të rinj, që për çudi nuk pushonin së godituri autobusin,”- ka sqaruar Martini.
Menjëherë, shefi i këtij klubi, Astrit Isaji, ka marrë masat e duhura, teksa ka vënë në dispozicion të Vllaznisë, një autobus enkas, në mënyrë që skuadra shkodrane të udhëtonte normalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›