Formulari A2, 1 mijë pikë më shumë për degët sipas profilit
Plot 1 mijë pikë më shumë do të grumbullojnë maturantët që degët në Formularin A2 do t’i përzgjedhin sipas profilit të gjimnazit. Këtu bëhet fjalë më së shumti për maturantët me mesatare të lartë, të cilët, falë përzgjedhjes së duhur të preferencave, mund të renditen 20 vende më sipër në listat e fituesve. Ndërkohë që, nëse këta maturantë përzgjedhin në Formularin A2 degë jashtë profilit të shkollës që kanë kryer, ata rrezikojnë të humbasin mjaft pikë në renditjen e fituesve, pasi koeficientet e shkollës ndryshojnë sipas universiteteve dhe profilit të degëve. Specialistët e pranimeve në universitete, këshillojnë maturantët që në preferencat e Formularit A2, së pari, duhet të ruajnë profilin e shkollës së mesme dhe së dyti, duhet të kërkojnë të japin provime me zgjedhje ato lëndë që i përshtaten programit të studimit që dëshirojnë të ndjekin. Sipas specialistëve, shpeshherë gjatë plotësimit të preferencave, maturantët orientohen në disa programe studimi që jo vetëm nuk kanë afërsi, por janë diametralisht të kundërt. Në këtë rast, shanset që maturantët të kenë rezultate pozitive vihen në pikëpyetje. Ndaj maturantët duhet të tregohen tepër të kujdesshëm gjatë përzgjedhjes dhe renditjes së preferencave të studimit. Sipas sistemit Meritë-Preferencë, të përzgjedhësh dhe renditësh preferencat do të thotë që një maturant me rezultate shumë të larta, me pikët që grumbullon mund të jetë fitues në të dhjetë preferencat e zgjedhura prej tij, por sistemi atë e shpall fitues në preferencën e parë. Një maturant me rezultate shumë të dobëta, nuk shpallet fitues në asnjërën prej preferencave të tij. Nëse maturanti është me rezultate mesatare, shpallja e tij fitues varet nga rezultatet e grupit të maturantëve që kanë kërkuar po ato programe studimi sikurse dhe ai. Sikurse duket qartë, faktori kryesor dhe përcaktues është merita, pra sasia e pikëve të grumbulluara. U bënë tashmë 6 vjet që në sistemin e pranimeve në universitetet publike të vendit, Ministria e Arsimit ka marrë përsipër të zbatojë parimin Meritë-Preferencë dhe të përcaktojë fituesit për çdo program studimi. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave në bazën e të dhënave janë të gjitha elementet e nevojshme për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.