E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të rrëmbente të miturën, shpallet në kërkim policor



KORÇË – Tentativa për të kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur e ka vënë përballë akuzës nga organet e Drejtësisë një 23-vjeçar nga Korça. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës bëjnë të ditur se kanë shpallur person në kërkim shtetasin Enea Rrushani, banor në Lagjen Nr. 8 në qytetin juglindor. Ai ka ftuar në makinën e tij një vajzë që banonte në të njëjtën lagje me të dhe ka tentuar ta mashtrojë. Por, 15-vjeçarja nuk ka rënë në grackën e djaloshit. Menjëherë ajo u ka treguar prindërve se 23-vjeçari Rrushani ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë, gjë që ka sjellë më pas denoncimin në Komisariatin e Policisë së Korçës. Burimet zyrtare të Policisë thonë se 23-vjeçari tashmë është në listën e personave të kërkuar, pasi mbi të rëndon akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë”.

Ngjarja
Si çdo ditë, 15-vjeçarja M. H. ka qenë duke u kthyer nga shkolla kur Enea Rrushiti ka ndaluar makinën përpara saj dhe ka tentuar ta fuste me forcë 15-vjeçaren në makinën e tij, por ajo ka kundërshtuar duke u larguar më shpejtësi nga i riu. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, familjarët e saj kanë bërë kallëzim në policinë e qytetit juglindor ndaj 23-vjeçarit Enea Rrushani. Policia e Korçës, pas marrjes së kallëzimit, ka nisur menjëherë punën për arrestimin e tij. “Sapo morëm kallëzimin nga ana e familjarëve të vajzës, nisëm punën duke e shpallur 23-vjeçarin në kërkim dhe duke informuar të gjitha patrullat e policisë. Nga ana jonë po punohet për kapjen e autorit”, - bën të ditur Policia e Korçës.
Precedenti
Në nëntor të vitit të kaluar, Ermal Gjoni, 21 vjeç, i cili ende nuk ishte pajtuar me idenë e ndarjes nga e fejuara, ka vendosur të hakmerret për vendimin që ajo kishte marrë dhe i ka shkuar në shtëpi duke i kërkuar me urdhër dhe me kërcënime që të dilte. Vajza ka dalë e shoqëruar nga babai i saj, por në këtë moment Gjoni e ka shtrënguar nga krahu duke e futur me forcë në automjetin e tij. Babai i vajzës, për shkak të moshës së thyer nuk ka mundur që ta ndalojë, pavarësisht thirrjeve për ta lënë të lirë të bijën dhe i gjendur përballë kësaj situate ka njoftuar menjëherë policinë. Menjëherë një automjet policie është nisur në drejtim të Shkozës. Por gjërat janë përkeqësuar edhe më shumë për 18-vjeçaren I. S. Ish-i fejuari i saj, Ermal Gjoni, i cili fillimisht i ka thënë që do të pinin një kafe për t’u sqaruar rreth ndarjes së tyre, e ka dërguar atë në një lokal dhe më pas në katet e sipërme të tij është futur në një dhomë moteli. Pasi e ka rrahur duke e goditur me grushte dhe mjete të forta, ai e ka përdhunuar. Pas kësaj ai i ka bllokuar rrugët e frymëmarrjes me jastëk, me qëllim për ta mbytur atë. Në këtë moment ndërhyrja e policisë ka qenë decizive për jetën e 18-vjeçares, pasi Ermal Gjoni është kapur në flagrancë duke tentuar ta vriste dhe është arrestuar.

Vdes nga i ftohti 28-vjeçari

ERSEKË - I ftohti i madh i ditëve të fundit i ka marrë jetën një 28-vjeçari. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë është gjetur i vdekur në fshatin Mbreshtan të komunës Navoselë në rrethin e Kolonjës, në vendin e quajtur “Pranë rezervuarit të Polenës”, shtetasi Servet Beqo, lindur e banues në Mbreshtan. Sipas tyre, rezulton se Beqo, që para tri ditësh kishte shkuar në qytetin e Ersekës për të blerë ushqime dhe që atëherë nuk ishte kthyer pranë banesës se tij. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kufomës ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune e dëmtime fizike dhe vdekja mund të ketë ardhur si rezultat i të ftohtit për shkak edhe të kushteve të vështira atmosferike dhe pranisë së dëborës së madhe”, - thotë zëdhënësja e Policisë.

Prostitucioni, arrestohet Elisabeta Kola
TIRANË – Policia e Tiranës ka arrestuar 42-vjeçaren Elisabeta Kola për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Ndalimi është bërë pas një vendimi që Gjykata e Shkodrës ka dhënë për dënimin e saj me 4 muaj burg. Sipas policisë, arrestimi i saj është bërë në Tiranë nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve. Elisabeta Kola (Liço) është banuese në Beltojë të Shkodrës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar atë më datë 4 nëntor 2008. Dënimi i saj me katër muaj është bërë për ushtrim prostitucioni.

Policia eviton vrasjen, pranga autorit
LAÇ – Tentoi të vriste një person, ndalohet nga policia në momentin e fundit Bajram Vokrri. Policia e Laçit bën të ditur se ndalimi i tij është bërë në kohën kur ky person po tentonte të qëllonte me armë shtetasin me iniciale T. A. Policia tha se mes dy protagonistëve të ngjarjes ka pasur një konflikt pas një mosmarrëveshjeje të çastit. Në këtë kohë, i arrestuari ka nxjerrë armën duke tentuar të qëllojë në drejtim të personit tjetër, por ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme. Autori i dyshuar i ngjarjes është ndaluar dhe po merret në pyetje në Policinë e Laçit, ku ndodhet edhe personi tjetër i përfshirë në konflikt.

Vritet me tre plumba Lorenc Lamia

ITALI – Vritet 27-vjeçari shqiptar në Siena. Viktima Lorenz Lamia, 27 vjeç, jetonte në Itali me dokumente të rregullta dhe punonte si kamerier në Siena. Sipas mediave italiane mësohet se 27-vjeçari është goditur me pistoletë. Rreth orës 23:00 të së dielës, 27-vjeçari është qëlluar me tre plumba pistolete, një në kokë dhe dy në gjoks, teksa po parkonte makinën e tij poshtë pallatit ku banonte me disa të afërm. Shqiptari ka gjetur vdekjen në spital, ndërsa vrasësit janë larguar me makinën me të cilën kishin mbërritur në vendin e krimit. Makina është gjetur në flakë afër varrezave të Arbias një orë pas krimit. Policia ka nisur hetimet mbi vrasjen, e cila ka karakteristikat e një ekzekutimi. Gjatë natës janë vendosur një sërë postblloqesh për arrestimin e autorëve, si dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët e parë, mes të cilëve i vëllai dhe kunata e 27-vjeçarit.

Policia, aksion për kapjen e dy shqiptarëve

GREQI – Rrethohet ishulli i Rodosit në Greqi pas informacioneve të marra lidhur me dy shqiptarët e arratisur dy javë më parë nga burgu i këtij ishulli. Berti Tabaku dhe Nderim Disha janë parë duke fjetur në një stan nga një bari i zonës malore Afantu, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë. Policia e ishullit ka vërtetuar se bëhet fjalë pikërisht për dy të burgosurit shqiptarë, 20 dhe 22 vjeç, të cilët janë arratisur mbrëmjen e së martës së datës 9 shkurt, një ditë para se të dilnin në gjyq. Ata akuzohen për mëse 30 vjedhje të kryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndërsa kanë qenë të dënuar edhe më parë nga Drejtësia greke.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›