E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, publikohet libri me 6 studime orientuese

Një libër orientues për maturantët dhe zgjedhjet e tyre për studimet e larta, pritet të dalë këto ditë në qarkullim. "Matura 2008, provimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik", titullohet ky botim i realizuar nga drejtuesit e APRIAL-it, strukturë e Ministrisë së Arsimit. Drejtori i saj, Frederik Shalësi, bën të ditur se në këtë libër janë përfshirë 6 studime, si dhe të dhëna të shumta të dy viteve të fundit, që zhvillohet Matura Shtetërore. Sipas tij, këto të dhëna dhe studime pritet që t‘i ndihmojnë maturantët të bëjnë zgjedhje të drejta për degët që do të preferojnë në universitete. Libri do të jetë falas dhe fillimisht, ai do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore në rrethe. Më pas do të mbërrijë edhe në shkolla, në duart e maturantëve të interesuar.

Drejtori Shalësi tregon se në këtë botim përfshihen elementë të tillë si p.sh: cilat kanë qenë degët më të preferuara nga të rinjtë në dy vitet e fundit, numri i kërkesave për degë të caktuara, si dhe mesatarja e studentëve të pranuar në to. Shalësi sqaron se të gjithë të rinjtë duhet të kuptojnë se nuk mund të aplikojnë për degë shumë të kërkuara siç është mjekësia apo juridiku, në rast se nuk arrijnë pikë të larta të paktën mbi 5500 apo më shumë. Sërish, lidhur me rëndësinë që ka ky botim, Shalësi tregon se ai është kompozuar edhe si një formë këshillimi për karrierën dhe për këtë arsye shumë specialistë të MASH-it do të shkojnë nëpër shkolla për të sqaruar maturantët se si të vlerësojnë zgjedhjet e tyre. Në libër përshkruhen në mënyrë të detajuar edhe raportet kërkesë-ofertë, apo preferencë-kuotë, ku është vënë re se në degë të tilla si Administrim-Biznesi, ky raport arrin në 20:1. Pra, kërkesa është shumë më e lartë se mundësia që ka fakulteti për të pritur studentë të rinj. Një tjetër aspekt i vlerësuar në studimet e këtij libri për maturën është edhe ai i raportit të fituesve në Universitetin e Tiranës krahasuar me ato të rretheve të tjera. Por, nuk mungojnë as të dhënat se sa të preferuar kanë qenë universitetet e rretheve nga të rinjtë e Tiranës. Krahas 6 studimeve kryesore, pohon drejtori i APRIAL-it, në libër janë përfshirë edhe një seri me tabela të dhënash në formën e anekseve, të cilat pritet t‘i vinë në ndihmë të rinjve të këtij viti, për zgjedhje të mençura për të ardhmen e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›