Matura Shtetërore, rregullat e reja për provimet me zgjedhje
Ministria e Arsimit miratoi dje udhëzimin për Maturën 2008. Rregullat për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2008
Jonida Tashi
Maturantët që do t’u nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës Shtetërore duhet t’u kushtojnë shumë vëmendje edhe provimeve me zgjedhje, të cilat nuk do të zhvillohen si një vit më parë. Ministria e Arsimit ka miratuar ditën e djeshme udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2008. Burimet zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditura për gazetën “Albania” se tre provimet e detyruara të Maturës Shtetërore do të zhvillohen njësoj si një vit më parë, ndërsa në provimet me zgjedhje këtë vit pyetjet nuk do të jenë më vetëm me alternativa, por edhe me shkrim. Sipas udhëzimit të miratuar për zhvillimin e provimeve, të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2008, ashtu siç është vepruar edhe më parë, përveçse duhet të ruajnë notat e provimeve të detyruara Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi, duhet të japin sërish provimet me zgjedhje. Kohëzgjatja e provimeve të detyruara do të jetë dy orë e 30 minuta, ndërsa kohëzgjatja e provimit për të dyja lëndët me zgjedhje do të jetë katër orë. Për këtë vit, ashtu si provimet e detyruara, edhe provimet me zgjedhje do të kenë pyetje me alternativa dhe me zhvillim.
Përzgjedhja e mjediseve për zhvillimin e provimeve
Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së evidenton dhe inspekton mjediset ku zhvillohen provimet e Maturës dy muaj para kryerjes së tyre. Konsiderohen mjedise të përshtatshme për zhvillimin e provimeve të Maturës, ato që plotësojnë kriteret e mëposhtme: Mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet çdo nxënësi/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njeri nxënës/kandidat te tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa; në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin; mjediset të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara; në mjediset ku zhvillohet provimi nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim; nxënësit/kandidatët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim; Sipërfaqja që nxënësi/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën (40 x 60) cm; çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, të ketë komunikim me rrugë automobilistike.
Shkollat me pak nxënës
Për provimet e Maturës, në shkollat ku numri i nxënësve/kandidatëve është më i vogël, ose e barabartë me 20 (njëzet), KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së grupon shkollat dhe cakton mjedisin ku zhvillohen provimet. KMSH-ja njofton KSHMSH-të përkatëse për të lajmëruar çdo nxënës/kandidat me shkrim dhe për t’u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara. Nxënësit e shkollave jopublike do t’i zhvillojnë provimet e Maturës Shtetërore në mjediset e shkollave publike. KMSH-ja e DAR-it dhe e ZA-së merr masa që provimet me zgjedhje të zhvillohen vetëm në qytetet e DAR-it dhe ZA-së, mundësisht në mjedise të mëdha dhe që plotësojnë kriteret e mësipërme. KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, pas përcaktimit të mjediseve ku zhvillohen provimet e Maturës, dërgon në MASH, AVA dhe në KSHMSH, deri më 10 maj listën e mjediseve përkatëse. KSHMSH-ja, pas marrjes së njoftimit nga KMSH e DAR-it dhe ZA-së, merr masat e nevojshme për organizimin dhe rregullimin e çdo mjedisi. KSHMSH-ja njofton çdo nxënës/kandidat, për mjedisin ku ai jep provimet e Maturës.
Rregullorja e Maturës Shtetërore
Procedurat e provimit të Maturës
Provimet e Maturës zhvillohen pas përfundimit të procesit mësimor të shkollës së mesme
Provimet e Maturës përbëhen nga provime të detyrueshme dhe me zgjedhje
Provimet e detyrueshme zhvillohen në ditë të ndryshme
Provimet me zgjedhje zhvillohen në një ditë
Provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit
Provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim
Hyrja e nxënësve/kandidatëve në mjediset e provimit
Nxënësi/kandidati paraqitet në shkollë 1 (një) orë përpara fillimit të provimit
Në këtë kohë kryhet identifikimi i nxënësit/kandidatit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për nxënësit/kandidatët
Procesi i identifikimit të çdo nxënësi/kandidati gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit
Pas fillimit të zhvillimit të provimit, drejtori i shkollës nuk lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi
Hyrja dhe ndarja e çdo nxënësi/kandidati nëpër klasa, bëhet duke ndjekur me rigorozitet rendin zbritës te listës emërore te dërguar nga AVA
Nxënësi/kandidati, ditën e provimit, ka me vete për identifikim certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftim
Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit/kandidatit të shpallur në listë
Sistemimi i çdo nxënësi/kandidati, në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit te hyrjes se tyre. Ndalohet ndërrimi i vendeve
Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik
Përjashtimi ose mosnjohja e rezultateve të provimit të nxënësit/kandidatit
Ditën e provimit nxënësi/kandidati përjashtohet ose nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
Nuk është i pajisur me dokument identifikimi si certifikata personale me fotografi
Nuk qëndron në vendin që i caktohet
Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër
Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit
Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës /kandidatë të tjerë
Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit
Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vizore, laps, gomë-vetëm për provimin e matematikës)
Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve
Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit
Shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (bar-kodin) të vendosur në test
Penalizimet e nxënësve/kandidatëve
Në qoftë se një nxënës/kandidat thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:
Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit
Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e pikave 54.3, 54.4, 54.5, 54.8
Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara në pikën 55.1 ose 55.2, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët
Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit dhe lejon vazhdimësinë e provimit
Të drejtat e nxënësve/kandidatëve
Në rast se nxënësi/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit. Nxënësve maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, të veçohen në një mjedis të përshtatshëm e të ndihmohen, duke caktuar një person të besueshëm, për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë
14 Mars 2008