Sondazhi, nxënësit të rrezikuar nga lagështia dhe ndotja në shkolla
Inspektimet në katër shkolla me grupmoshat 6 deri në 16 vjeç. Kontrolli i ISHP-së: “Niveli i mikrobeve tepër i lartë”
Emanuela Sako
Shkollat kanë kushte që përbëjnë rrezik për shëndetin e nxënësve. Të dhënat kanë dalë nga një sondazh i kryer nga specialistët e ISHP-së në katër shkolla të kryeqytetit. Kështu, vlera e nivelit të zhurmave dhe e lagështirës në katër shkolla, që gjenden në Njësitë Bashkiake Nr.3 dhe Nr.4, në kryeqytet, janë mbi standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Të gjitha rezultatet janë bërë të ditura nga sondazhi “Impakti shëndetësor në grupmoshat 06-15 vjeç nga kushtet mjedisore, tregues higjieno-sanitarë, në institucionet arsimore”, që janë kryer gjatë një viti nga ISHP-ja. Qëllimi i sondazhit është praktikimi i situatës higjieno–sanitare të mjediseve të brendshme në këto institucione dhe impakti i tyre në shëndet. Rezultatet përfundimtare tregojnë se ambientet e shkollave janë të rrezikshme përsa i përket ndotjes duke i tejkaluar vlerat e përcaktuara nga OBSH-ja. Ndërkohë, ata që i vuajnë pasojat janë nxënësit, të cilët janë të detyruar të durojnë lagështirën, ndotjen akustike, mikrobet e shumta që ndodhen në ambient. Të gjitha këto rrezikojnë shëndetin e nxënësve dhe bëjnë që ata të sëmuren sa më shpesh, duke pasur probleme me frymëmarrjen dhe alergji të ndryshme nga myku që ka nëpër klasa. Njëkohësisht, ndotja akustike shkakton tek ata shpërqëndrim në orën e mësimit dhe ulje të nivelit të “thithjes” së lëndëve mësimore. Vlerë të lartë shënon edhe mbipopullimi i klasave, ku është e pamundur kryerja e mësimit dhe detyrimisht nxënësit do të kenë probleme me marrjen e njohurive të lëndëve mësimore.
Rezultatet
Për kryerjen e sondazhit, specialistët e ISHP-së janë ndalur në disa pika kyçe që përbëjnë edhe më tepër probleme për nxënësit e shkollave 8-vjeçare dhe të mesme. Rezultatet e sondazhit njëvjeçar treguan se në 88 për qind të klasave niveli i zhurmave është mbi vlerat standarde të OBSH-së, vlera standard është 35dB. Koeficienti i ndriçimit natyral rezultoi në 64 për qind të klasave nën vlerat standarde. Klasat e shkollave ku u realizua inspektimi ishin të mbipopulluara me nxënës, ndërkohë që vlera normale e sipërfaqes së klasës për një nxënës është 1.5 m²-2 m².
Sipas ISHP-së, në 67 për qind të klasave vlera e lagështisë relative është mbi vlerat standarde të OBSH-së, ku vlera standarde është 40 për qind-60 për qind. Specialistët shpjegojnë se vlerat normale të lagështirës janë të lidhura me vlerat normale të temperaturës së brendshme. Në temperaturën 18º-20º, lagështia relative është 40 për qind - 60 për qind. Rezultatet tregojnë se në 18 për qind të klasave temperatura e brendshme është 16º dhe lagështia relative është mbi 60 për qind. Ndërsa në 14 për qind të klasave temperatura e brendshme është 16º-18º dhe treguesi i lagështirës është mbi 60 për qind. Specialistët sqaruan se klasat e shkollave kanë kontaminim të lartë mikrobik të ajrit dhe në 66 për qind të klasave kontaminim të lartë mykologjik të ajrit. Si rrjedhojë, nxënësit kanë kaluar infeksione respiratore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme, kanë patur vështirësi në frymëmarrje, kryesisht gjatë 12 muajve të fundit dhe 13 për qind deri në 20 për qind e nxënësve janë kthyer në alergjikë.
Monitorimi
Monitorimi i shkollave do të vazhdojë edhe këtë vit për të matur kushtet në të cilat qëndrojnë nxënësit në një pjesë të konsiderueshme të ditës. Rreth 17 shkolla në Tiranë, të cilat gjenden në rrugët me nivelin më të lartë të ndotjes akustike, do të jenë këtë vit objekt studimi për Departamentin e Ujit dhe Ajrit në Institutin e Shëndetit Publik. Kontrolli do të përqendrohet në çdo shkollë që ndodhet në pikat me nivel të lartë zhurme, si rruga “21 Dhjetori” apo “Vasil Shanto”, ku ndotja akustike arrin mbi 70 decibel(dB). Kryerja e këtij studimi do të evidentojë pasojat që shkaktojnë zhurmat te brezi i ri i grupmoshës 6- 14 vjeç dhe shkollave të mesme. Në fund të studimeve të kryera do të jepen rekomandime dhe propozime për minimizimin e pasojave nga zhurmat.
Detaj
Java e higjienës, shkollat bëjnë aktivitete për kushtet në shkolla
Shkollat e kryeqytetit do të organizojnë një sërë aktivitetesh për t’u bërë promotorë të mirëmbajtjes së ambienteve të tyre në standardet e caktuara higjienike. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik dhe të Drejtorisë së Shëndetit Publik, në kuadër të “Javës për higjienën në shkolla”, morën pjesë në aktivitetin e pastrimit në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”.
Ky aktivitet është kryer edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit, me synim sensibilizimin për mirëmbajtjen, pastërtinë brenda shkollave dhe mjedisin përreth. Drejtoresha e Promocionit të Shëndetit, Vojsava Sulçe, u shpreh se shkollat nuk kanë një higjienë të mirë. Specialistët e ISHP-së dhe DSHP-së një rëndësi të madhe i kushtuan edhe rritjes së promocionit shëndetësor në shkolla, duke nisur me higjienën personale të nxënësve, kolektive në klasa e në shkollë, pastërtinë e ambienteve brenda shkollës, mjedisit përreth shkollave, organizimin e minikonkurseve për të provuar njohuritë e nxënësve për higjienën.
14 Mars 2008