E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, shtohet kursomania

çmimet variojnë, ndërsa prindërit nxitojnë t’i regjistrojnë fëmijët në disa kurse private njëherazi

Provimet e Maturës Shtetërore 2010 janë duke u afruar e për rrjedhim edhe përgatitjet e të rinjve për to janë shtuar. Provimet e letërsisë dhe të matematikës që janë të detyruara i kanë vënë në lëvizje që prej kohësh të kërkojnë leksione private. Këto kurse zhvillohen nga mësuesit e shkollës ku studiojnë vetë nxënësit apo nga të tjerë që njihen si mësues “me emër të mirë”. Ndërkohë që, sipas statistikave të nxjerra në këto katër vite të Maturës Shtetërore, rezulton se kurset private jo në të gjitha rastet kanë qenë rezultative. Kjo, pasi sikundër pohojnë edhe vetë mësuesit, disa nxënës i kanë lënë të zhgënjyer. Ndërsa shtojnë se një rol jo të vogël gjatë këtyre provimeve të maturës luan edhe faktori psikologjik. Megjithatë, prindërit të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, nuk kanë kursyer asgjë që t’u mundësojnë atyre orë shtesë studimi. Kurset private kushtojnë jo pak për xhepat e familjeve të mesme shqiptare, pa përmendur këtu ato me të ardhura minimale.

Fenomeni i kurseve private është shumë i përhapur si në Tiranë ashtu edhe në rrethe. Mësuesit e lëndëve të matematikës dhe letërsisë janë ata më fatlumët, të cilët në raste të tilla nuk ngelin asnjëherë pa punë suplementare. Por në këtë rreshtim bëjnë pjesë edhe të gjithë arsimtarët e shkollave të mesme që japin njërën nga lëndët me zgjedhje të Maturës Shtetërore, përfshi këtu edhe lëndët e gjuhëve të huaja, e në mënyrë të posaçme anglishtja, e cila është edhe një nga materiet që përzgjidhet më së shumti nga maturantët për njërin nga provimet me zgjedhje. Kjo vjen si pasojë e faktit se ajo ka koeficientin maksimal prej 1.3 dhe garanton më shumë pikë të fituara në fund.

Nga ana tjetër, rivalë të mësuesve të shkollave të mesme bëhen në jo pak raste pedagogët e universiteteve publike e private në vend. Ata kanë kontingjentin e tyre të të rinjve, që frekuentojnë kurset e shtrenjta që ata bëjnë. Në këtë kategori mësohet se hyjnë fëmijët nga familje me të ardhura më të mira. Kjo, edhe për shkak të çmimeve të kripura që ata ofrojnë për kurset. Kështu, për ata të rinj që zgjedhin të studiojnë në degën e Arkitekturës, çmimi për një seancë në kursin privat me pedagogët arrin deri në 3000 lekë të reja. Të tilla çmime konsiderohen normale prej pedagogëve që u premtojnë atyre njohuri më të thelluara për përgatitjen universitare në raport me mësuesit e shkollave të mesme.

Një ndryshim i vogël vihet re edhe në çmimet e kurseve private që zhvillohen në Tiranë apo në rrethet e mëdha krahasuar me ato në qytete më të vogla. Kështu, në muaj për lëndët e letërsisë, matematikës, fizikës, biologjisë a ndonjë tjetër minimumi që një nxënës mund të paguajë në muaj është 2000 lekë të reja. Por çmimi rritet kur bëhet fjalë për kurse intensive, ku çmimi dyfishohet. E njëjta gjë ndodh edhe për mësues shumë të mirë që kanë pasur rezultate me maturantët e viteve të kaluara, të cilët kanë arritur të fitojnë në ato fakultete që kanë pasur më për zemër.

Vetë mësuesit pohojnë se të rinjtë kanë nevojë për këto orë suplementare. Po kështu, edhe të rinjtë në shkollat e mesme tregojnë se detyrohen të frekuentojnë dy ose më shumë kurse private gjatë pasditeve.

Ministria e Arsimit për t’i dhënë fund atij që u konsiderua si abuzim me kurset private detyroi mësuesit që të qëndronin në shkollë edhe për orët e konsultimeve. Por, pavarësisht kësaj mase, duket se kurset e paguara në mënyrë private janë më rezultative për mësuesit dhe nxënësit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›