E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Bosnjë: Është koha të lëvizim pa viza në Europë

Të majtët Kryetari i opozitës, Edi Rama, dhe zv.kryeministri Ilir Meta marrin pjesë në konferencën e PSE

Më afër se asnjëherë me Europën, por ende jashtë saj. Liria e lëvizjes mbetet sot për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor jo vetëm një pengesë ekonomike, por edhe një shprehje sesi izolimi i Luftës së Ftohtë ruan trashëgiminë e vet vetëm në këtë rajon të Europës. Ky konstatim që ndihet nga të gjithë po vlerësohet nga socialistët shqiptarë jo vetëm si pjesë e një axhende teknike që lidhet me integrimin, por edhe si pjesë e një vizioni ende të parealizuar që ka të bëjë me përmasën e lirisë së lëvizjes së qytetarëve. “Dëshiroj të ndaj me të gjithë ju këtë eksperiencë... të ardhjes sime për herë të parë në këtë qytet shumë të veçantë, që është jo vetëm pjesë e një historie të përbashkët, por që po përjeton po ashtu një distancim të pajustifikuar nga Europa...Kalimi përmes Sarajevës...ishte me të vërtetë një moment shumë i veçantë për mua, por, njëkohësisht, e kisha të pamundur të kuptoja sesi ka mundësi që pas kaq vjetësh, ne ende nuk gëzojmë lirinë të lëvizim nëpër Europë pa viza...”, deklaroi dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai ka bërë kështu pjesë thelbësore të fjalës së tij në takimin me temë “Shoqëritë progresiste në Ballkan”, zhvilluar në Bosnjë, pikërisht murin e fundit izolues për qytetarët shqiptarë, që është lëvizja e kufizuar drejt Europës. Duke folur me gjuhën e një politikani që konstaton të përbashkëtën e rajonit dhe për pasojë absurditetin e ndarjes artificiale që vijon të dominojë marrëdhëniet, por edhe komunikimin me Europën, ai ka bërë thirrje për një hapje përfundimtare të dyerve për Ballkanin. “Në këtë konferencë mendoj që është rasti për të kërkuar mbështetje për mundësimin e udhëtimit të lirë nëpër Europë pa viza për ne, ashtu si dhe për të gjithë qytetarët e tjerë të Europës apo dhe të këtij rajoni”, u shpreh Rama. I vështruar si problem politik europian, mbështetja që Shqipëria dhe Bosnja po marrin nga socialistët për heqjen e vizave përbën një hap lehtësues. Kjo pasi ai lehtëson shumë barrën e debateve të brendshme që karakterizojnë vendime të kësaj natyre, por që sipas asaj që po shihet në rastin e Shqipërisë dhe të Bosnjës, konsensusi është shumë i mundshëm. Angazhimi i opozitës shqiptare në këtë kuadër shënon gjithashtu në vetvete një hap përpara po të mbahet parasysh se lufta politike në Shqipëri i adapton vendimet e kësaj natyre si mundësi për trumbetimin e fitoreve të njëanshme. Edhe pse paradoksale, një fitore e re e së majtës mund të lexohet edhe në hapat e saj moderues në rajon, qoftë kjo referuar vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi. Pavarësisht angazhimeve politike në krah të koalicionit të djathtë qeverisës, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka prezantuar nismat e fundit diplomatike si pjesë e pandarë e mentalitetit modernizues që karakterizon në tërësi të majtën shqiptare. Konfirmim i kësaj është edhe vlerësimi që Presidenti i PSE, Rasmussen i ka dhënë ministrit shqiptar, lidhur me aktivitetin moderues në Ballkan, i cili është premisë për integrimin e tij final në Europë. Një bashkëpunim ndër rajonal që përtej disa kontestimeve të brendshme po merr mbështetje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›