Nderi i Qytetit për Timo Fllokon
Timo Flloko, një prej emrave më të njohur të kinematografisë e teatrit shqiptar, është nderuar me titullin “Nderi Qytetit” nga Bashkia e Gjirokastrës. “Një artist i madh i filmit dhe teatrit, pedagog e intelektual i shquar i kultivimit dhe promovimit të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare”, ky ka qenë edhe motivacioni me të cilin i është akorduar ky titull aktorit me origjinë gjirokastrite. Timo Flloko e ka konsideruar këtë vlerësim si një lumturi të madhe. Me mjaft emocion ai ka falënderuar drejtuesit e bashkisë së qytetit, duke përshëndetur nismën e marrë për akordimin e titullit në fjalë. Kryebashkiaku gjirokastrit, Flamur Bime, ka vlerësuar kontributin e çmuar dhënë nga aktori në artin skenik dhe atë kinematografik shqiptar, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të nderuara të vendit. “Kontributi i aktorit Timo Flloko në artin shqiptar është vlerësuar dhe do të vlerësohet vazhdimisht”, u shpreh kryebashkiaku Bime. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë artistë e intelektualë të njohur të qytetit. Gjatë veprimtarisë së mbajtur me këtë rast janë përcjellë momente nga rolet e interpretuara prej Timo Fllokos, shoqëruar me tingujt e pianos.
#