E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i Mësuesit, futet në projektligjin e ri

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-03-2011 12:08

Kërkesa e hershme e arsimtarëve për hartimin dhe miratimin e Statusit të Mësuesit duket se tashmë është vetëm një hap larg për t’u bërë realitet. Tashmë, Statusi i Mësuesit është shndërruar në një nga kolonat kryesore të projektligjit të ri për arsimin parauniversitar, dhe ky fakt bëhet i ditur nga vetë kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrushi, i cili shpjegon edhe disa nga detajet kryesore të sugjerimeve që kanë bërë sindikalistët për Statusin e Mësuesit. Sipas projektligjit të ri, statusi përfshin të gjithë mësuesit, si në shkollat publike dhe ato private, duke filluar nga arsimi parashkollor, arsimi bazë, i ulët dhe i lartë dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm dhe profesional. Sipas kreut të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës (FSASH), nisma që ka ndërmarrë MASH për hartimin e ligjit të ri për arsimin parauniversitar përbën një hap dhe moment me rëndësi në zhvillimin dhe konsolidimin e procesit të reformimit të këtij sistemi. Duke qenë se për hartimin e një ligji të tillë janë të interesuar të gjithë: shteti, institucionet arsimore publike e private, partnerët socialë, mësuesit, prindërit, nxënësit dhe gjithë shoqëria, kjo është arsyeja që sindikatat e arsimit, nga shkollat deri në nivel qendror, u përfshinë në diskutimin për përmirësimin e draftit të ligjit për arsimin parauniversitar. FSASH u angazhua aktivisht dhe mori përsipër që të japë ndihmesën e saj në dy momente kyçe të projektligjit. “Së pari, FSASH ka bërë sugjerime dhe propozime që lidhen me harmonizimin e projektligjit me Konventat Ndërkombëtare të Punës dhe me ligjin për Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë. Në projektligjin e ri ‘Për arsimin parauniversitar’ përfshihen dispozita që trajtojnë marrëdhëniet e punës, raportet me partnerët socialë, me shoqatat e prindërve dhe nxënësve, me të drejtat dhe detyrat e mësuesve, me sistemin e pagave e të shpërblimeve etj. Është e domosdoshme që dispozitat e ligjit të ri për këto çështje të jenë të harmonizuara si me Konventat Ndërkombëtare të Punës, të cilat janë miratuar nga shteti ynë, sepse këto konventa përbëjnë standarde bashkëkohore për tërësinë e marrëdhënieve të punës, ashtu edhe me dispozitat e Kodit të Punës. Së dyti, FSASH është angazhuar për të përfshirë në ligjin e ri një nga kërkesat e hershme të saj, dispozitat për Statusin e Mësuesit. Në të vërtetë, ndryshe nga ligji që është sot në fuqi dhe nga ligjet e mëparshme, hartuesit e projektligjit të ri, për herë të parë kanë përfshirë në projekt disa dispozita që lidhen me mësuesin. Në sugjerimet e veta FSASH, duke u mbështetur në këto dispozita, ka përpunuar kreun që titullohet ‘Statusi i Mësuesit’. Statusi që u garantohet mësuesve nëpërmjet këtij ligji është shprehje e qëndrimit, vlerësimit dhe konsideratës që ka shoqëria dhe shteti për figurën, profesionin, misionin dhe punën e mësuesit. Në ligjin e ri, për herë të parë, mësuesi legjitimohet si figura qendrore e shkollës, vlerësim ky i merituar, sepse mësuesit luajnë rol thelbësor për zhvillimin bashkëkohor të sistemit arsimor në vend dhe, nëpërmjet arsimimit të brezit të ri japin një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin e individit dhe të shoqërisë moderne, formojnë inteligjencën tekniko-shkencore, si bazë për progres të vazhdueshëm jo vetëm kulturor dhe moral, por edhe ekonomik e social të vendit. Statusi që propozohet të gëzojnë mësuesit me këtë ligj, në përputhje me ‘rekomandimin e ILO-s dhe UNESKO-s për Statusin e Mësuesit’, u garanton atyre standarde bashkëkohore në çdo fazë të procesit për fitimin dhe ushtrimin e profesionit, përfshirë përgatitjen profesionale dhe përcaktimin e institucioneve që autorizohen të bëjnë këtë përgatitje, vendos kritere për procesin e kualifikimit shkencor të vazhdueshëm, për punësimin dhe karrierën, për pagat, shpërblimet dhe sigurimet shoqërore, fikson të drejtat dhe detyrat e mësuesve, bazuar në standarde bashkëkohore, garanton kushtet për një mësimdhënie dhe të mësuar të efektshëm, etj”, - shpjegon Xhaferr Dobrushi. Në fakt, Statusi i Mësuesit është një kërkesë dhe synim i hershëm i sindikatave. Sidomos gjatë 10 viteve të fundit, në çdo kontratë kolektive që është nënshkruar, është përfshirë një nen i posaçëm ku theksohet se Ministria e Arsimit dhe Sindikatat e Arsimit kanë rënë dakord të hartojnë e përfshijnë në procedurat e miratimit një draft të Statusit të Mësuesit, përfshirja e të cilit në projektligjin e ri “Për arsimin parauniversitar” duket se është rruga e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por që ky propozim të marrë formën përfundimtare duhet të miratohet më së pari nga Ministria e Arsimit, qeveria, e më pas edhe nga Parlamenti. Aktualisht është përmbyllur faza e diskutimit dhe e vjeljes së mendimeve dhe ideve për përmirësimin sa më të plotë të projektligjit të ri të shpallur nga MASH “Për arsimin parauniversitar” dhe tashmë grupi i punës së hartimit të këtij drafti është duke relatuar vërejtjet më të qenësishme për përmirësimin e tij. Burime zyrtare nga MASH bëjnë të ditur se së shpejti ky projektligj do të kalojë në Parlament për t’u miratuar.

Në ligjin e ri, për herë të parë, mësuesi legjitimohet si figura qendrore e shkollës, vlerësim ky i merituar, sepse mësuesit luajnë rol thelbësor për zhvillimin bashkëkohor të sistemit arsimor në vend

Propozimet për të drejtat dhe detyrat e arsimtarëve

Autoriteti që kujdeset dhe mbikëqyr respektimin e dispozitave të “Statusit të Mësuesit”, sipas ndryshimeve të bëra në projektligjin e ri është sindikata, ose sindikatat më të përfaqësuara, nënshkruese të Kontratës Kolektive të nivelit të parë. Për këtë, Dobrushi bën të ditur se në kreun X të projektligjit për “Statusin e Mësuesit”, sipas sugjerimeve të FSASH, theksohet se “në këtë ligj janë përfshirë të drejtat dhe detyrat e mësuesve që përbëjnë standarde bashkëkohore. Ndërsa, detajimi dhe konkretizimi në hollësi i këtyre të drejtave dhe detyrave bëhet me akte normative që nxjerr ministri dhe me Kontratën Kolektive të nivelit të parë. Sipas kreut të FSASH, të drejtat dhe detyrat kryesore të mësuesit, që përbëjnë standarde dhe që duhet të sanksionohen në dispozitat e ligjit, janë:

Liria profesionale dhe akademike, që do të thotë:

Mësuesit kanë të drejtë të marrin pjesë në procesin e hartimit të teksteve, mjeteve të mësimdhënies dhe programeve e planeve mësimore.

Çdo sistem kontrolli mbi punën e mësuesit duhet t’i inkurajojë dhe ndihmojë ata për kryerjen me cilësi të detyrave të tyre profesionale, duke mos kufizuar lirinë, iniciativën dhe përgjegjësinë e mësuesve.

Mësuesi duhet të njihet me vlerësimet që i bëhen punës së tij nga punëdhënësi. Ai ka të drejtën e apelimit të këtyre vlerësimeve.

Mësuesit janë të lirë të përdorin metoda të përshtatshme bashkëkohore për të vlerësuar përparimin e nxënësve, me kusht që vlerësimi të jetë objektiv dhe të përjashtojë çdo subjektivizëm dhe padrejtësi.

Autoritetet e arsimit duhet të marrin në konsideratë opinionet dhe rekomandimet e mësuesve për aftësitë, talentet dhe përshtatshmërinë e nxënësve në përzgjedhjen e degëve dhe profesioneve në arsimimin e mëtejshëm.

Shqyrtimi i ankesave të nxënësve, apo prindërve kundër mësuesve, në çdo rast duhet t’u krijojë mësuesve mundësinë për t’u mbrojtur në bazë të dispozitave të këtij ligji dhe Kontratës Kolektive të Punës.

Autoritetet e arsimit, pushteti vendor dhe organet e rendit duhet ta mbrojnë mësuesin nga kërcënimet, rreziqet dhe çdo formë tjetër presioni, apo dhune që ushtrohet ndaj tyre për shkak të profesionit, përfshirë këtu edhe fyerjet apo çdo sjellje jo korrekte të nxënësve ndaj tyre në shkollë, ose jashtë saj.

Të drejta civile që kushtëzohen (lidhen) me profesionin e mësuesit

Pjesëmarrja aktive e mësuesve në jetën shoqërore dhe publike garantohet me ligj. Ajo është në interes të zhvillimit të vetë mësuesve, të shërbimeve që ofron shkolla dhe në interes të shoqërisë në përgjithësi.

Mësuesi gëzon lirinë për të përfituar dhe ushtruar të gjitha të drejtat civile që gëzojnë qytetarët e tjerë, përfshirë edhe të drejtën për t’u zgjedhur në organet e pushtetit qendror ose vendor dhe në administratën publike.

Kur detyrat në organet e pushtetit apo administratën publike janë të tilla që mësuesi nuk mund të ushtrojë njëkohësisht edhe profesionin e tij si mësimdhënës, ai ruan të drejtën e vjetërsisë në punë dhe me mbarimin e mandatit kthehet në profesionin e mëparshëm.

Të drejta që realizohen nëpërmjet organizatave përfaqësuese, sindikatave

Siç është sanksionuar në ligjin nr.7961 datë 12.7.1995 “Për Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë” dhe në përputhje me Konventat e ILO-s nr.87 “Për lirinë sindikale...” dhe Konventën nr.98 “Për të drejtën e organizimit dhe të bisedimeve kolektive”, mësuesve u garantohet e drejta që nëpërmjet organizatave të tyre përfaqësuese sindikale të negociojnë me punëdhënësin publik, ose privat, për pagat, shpërblimet dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, për standardet dhe kriteret e punësimit, për karrierën dhe kualifikimin, për mosmarrëveshjet që lindin në procesin e marrëdhënieve të punës; për kushtet e punës, për kohën e punës dhe pushimet javore e vjetore etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›