E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema antikrizë bllokon 20 miliardë lekë

Në 6-mujorin e parë, më pak investime. Financat: Do të preken pas muajit korrik
Ministria e Financave ka vendosur të mos përdorë 20 miliardë lekë të buxhetit, për t’ia kaluar 6-mujorit të dytë. Manovra financiare vjen si reagim ndaj krizës, duke detyruar autoritetet të mbajnë të bllokuara paratë për investime, për t’i përdorur më pas gjatë pjesës së dytë të vitit, pasi të dallohet ecuria e të ardhurave. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se “ngrirja” e investimeve publike është përzgjedhur si një skemë që synon të minimizojë rrezikun e kolapsit financiar të shtetit, pa i hyrë debateve parlamentare që do të hapeshin në rast se shkurtimi i shpenzimeve në buxhet do të kryhej përmes procedurës normale të rishikimit të ligjit “Për Buxhetin e Shtetit 2010”.
Sipas këtij skenari, fillimisht do të shihet gjatë periudhës janar-qershor se si do të ecin të ardhurat dhe më pas do të vendoset nëse ka mundësi që buxheti të zbatohet në tërësi, apo do të nevojitet ulja e shpenzimeve.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi në dhjetor ligjin për buxhetin 2010, ku parashikohen të ardhura në masën 361 miliardë lekë dhe shpenzime në masën 411 miliardë lekë. Por që në janar, në një dokument të brendshëm të zbuluar nga “Shqip”, Ministria e Financave pranon se parashikimi i të ardhurave qe tepër i fryrë dhe i parealizueshëm. Ekspertët e Financave kanë vlerësuar se të ardhurat e buxhetit të vitit 2010, vështirë se do të jenë më të mëdha se 330 miliardë lekë, edhe ky vlerësim i konsideruar si “skenari optimist”. Ekspertët e Ministrisë së Financave i kanë propozuar qeverisë të ulë shpenzimet me 40 miliardë lekë ose rreth 10 për qind të totalit dhe sipas tyre, ky vendim duhet të merret para muajit mars. Kryeministri Sali Berisha mësohet se ka qenë personi i cili ka refuzuar kategorikisht çdo rishikim publik përmes debateve në Parlament të buxhetit të këtij viti. Kryeministri Berisha është mjaftuar me firmosjen e një urdhri të brendshëm, drejtuar ministrive kryesore që të ulin shpenzimet për investime në masë të ndjeshme, përmes skemës së “ngrirjes”. Përveç pritjes me ankth për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2010 dhe pasqyrimit të ecurisë ekonomike në të ardhurat e buxhetit të shtetit, qeveria i ka varur shpresat edhe tek emetimi i eurobondeve me vlerë të përgjithshme prej 300 milionë eurosh, shifër kjo afërsisht e barabartë me vrimën totale që pritet të vërehet në buxhet.
Ministria e Financave njoftoi javën e kaluar se ka përmbyllur me sukses atë që e quajti “faza e parë e procedurës së emetimit të eurobondeve”. Rezultatin real pritet ta mësojmë në muajin maj. Ekzaktësisht një vit më parë, qeveria shpalli një sukses të ngjashëm në emetimin e eurobondeve, i cili pak javë më vonë rezultoi një dështim. Qeveria zëvendësoi planin e emërimit të eurobondit me planin për të tërhequr një kredi sindikale. Tenderi për kredi sindikale u shpall i dështuar dhe qeveria nisi negociata direkte me disa banka. Negociatat u mbyllën me marrje borxhi me prokurim të drejtpërdrejtë përkundrejt një interesi stratosferik prej euribor plus 9.65 për qind. Qeveria do të duhet ta shlyejë borxhin në fjalë në vitin 2012. Në rast se nuk arrin të emetojë borxh të ri për të shlyer të vjetrin, rrezikon falimentin.
Eurobondet janë tituj borxhi sovran të pagarantuar që u ofrohen investitorëve të mëdhenj, kryesisht bankave ndërkombëtare të investimit. Kredia sindikale është një titull borxhi që shoqërohet me kushte dhe garanci për dhënësin e borxhit nga qeveria që e tërheq.
Vlerësimi i “Moody’s”
Ndërsa shpreson se ekonomia shqiptare do të rikthehet te rritja ekonomike e qëndrueshme prej 6 përqindësh në vit, gjë që nënkupton rritje të të ardhurave të buxhetit me 8-10 për qind. Por të gjitha vlerësimet ndërkombëtare thonë se ekonomia shqiptare do të rritet me 2-3 për qind, gjë që nënkupton rritje të të ardhurave të buxhetit me 4-5 për qind. Në një situatë të tillë, qeveria pritet të përballet me vështirësi serioze në mbulimin e shpenzimeve të veta gjatë këtij viti, të ngjashëm me vështirësitë që hasi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Plani i qeverisë për të “ngrirë” investimet me urdhër të brendshëm për gjashtë muaj, pritet të merret në shqyrtim nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të rreziqeve “Moody’s”, ekspertët e së cilës pritet të analizojnë Shqipërinë në muajin mars. Një vlerësim negativ nga “Moody’s” do të sjellë rritje të interesave të borxhit të vjetër dhe do të vështirësojë marrjen e borxhit të ri.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›