E Diel, 1 Nëntor 2026

Mina me telekomandë në makinë, arrestohen tre trafikantët

Trafikonin mina me telekomandë, por janë zbuluar dhe vënë në pranga nga Policia e Shtetit. Një operacion i ndërmarrë rreth orëve të vona të së hënës, bashkëpunim i strukturave të Shkodrës me ato qendrore, që çoi në arrestimin e dy vëllezërve nga Laçi dhe të një 40-vjeçari nga Shkodra. Sipas burimeve zyrtare, u ndaluan vëllezërit Monel dhe Leandro Lamaj, si dhe Sokol Buseta. Gjatë finalizimit të operacionit “Natë me hënë”, agjentët sekuestruan rreth 4 mina me telekomandë në fuoristradën me të cilën po lëviznin dy prej tyre, ndërsa një e pestë, si dhe armë e municione të tjera u bllokuan në shtëpinë e dy vëllezërve nga Laçi. Sipas burimeve nga policia, të arrestuarit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, si edhe për vjedhje. Të fshehura në banesë u gjetën një sasi e madhe bizhuterish, euro dhe lekë.
Operacioni
Policia e Qarkut të Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, prej disa kohësh kishin marrë nën vëzhgim aktivitetin e të dyshuarve. Ndërsa ata po udhëtonin në drejtim të Mamurrasit, me një makinë tip fuoristradë me targa të Laçit, uniformat blu i janë vënë pas, duke i ndaluar në superstradën Laç-Mamurras. Në mjet po udhëtonin dy persona, 35-vjeçari Monel Lamaj e Sokol Buseta, 40 vjeç. Agjentët kryen një kontroll në automjet, ku gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë, si edhe 15 detonatorë elektrikë me përcjellës. Minat ishin të përbëra nga eksploziv C4 dhe komandoheshin me telefon celular. Policia e vazhdoi operacionin e saj edhe në banesat e të arrestuarve. Nga kontrolli i kryer në banesën e Lamajt u gjet një tjetër minë me telekomandë, një detonator elektrik me përcjellës, një armë zjarri automatik me 30 fishekë, një armë gjahu me 15 fishekë dhe 600 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi bizhuterish si 71 unaza, 29 byzylykë, 24 varëse e medaljone, 96 vathë, 54 orë dore të markave të ndryshme, 11 telefona celularë të markave të ndryshme. Policia bllokoi 3.800 euro dhe 600.000 lekë të reja dhe sekuestroi 4 automjete, 2 “Mercedes Benz”, një fuoristradë dhe 1 makinë e markës “Honda” me targa greke.
Hetimet
Pas arrestimit, tre të ndaluarit u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje. Dyshohet se të ndaluarit merreshin me trafikimin e minave me telekomandë, të cilat shiteshin në vend. Por ata akuzohen edhe vjedhje të kryera. Polica po heton për persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik, ndërkohë që po bashkëpunohet me strukturat në qarqe për hetimin e rasteve të kallëzimeve penale që janë bërë në lidhje me materialet që u janë sekuestruar shtetasve të arrestuar. Tre të ndaluarit u shoqëruan në qeli, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, armëve dhe municioneve luftarake”, “vjedhjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›