E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura me 1 qershor 34 mije nxenes ne provime

Pas dy javësh maturantët do t’i nënshtrohen provimit të parë të matures, atij të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Edhe këtë vit do të ketë 25 pyetje, të cilat do të jenë të shkëputura nga programet mësimore.

Të gjitha detajet i bëjnë publike për Albanian Screen, specialistët e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit, risi është se maturantët e shkollave private do të testohen në ambientet e shkollave publike, kjo sipas specialistëve, për t’i vënë në kushte të barabarta.

“Në 2 orë e gjysmë do të kenë 25 pyetje për provimet e detyruara që janë përkatësisht gjuhë dhe letërsi shqipe dhe matematika dhe do të kenë nga 20 pyetje për provimet me zgjedhje që janë dy, dhe do jenë 40 pyetje për 4 orë. Është parashikuar të ketë të nëjtën skemë me vitin e kaluar. 13 pyetje me alternativa dhe 12 me zhvillim”-thotë Ndriçim Mehmeti, specialist në MASH.

Por ndryshe nga herët e tjera, maturantët nuk do të kenë mundësi të ankimojnë provimet e tyre, pasi sipas specialistëve të arsimit, një test do të kalojë në tre grupe vlerësuesish.

“Nuk ka ankimim dhe nuk ka vjeshtë. Do të aplikojmë një vlerësim të trefishtë që do të thotë që dy vlerësuesit korrigjojnë në dhoma të veçanta dhe në rast se ata nuk bien dakord për një test që është atje, atëherë vjen pala e tretë, që është një specialist me përvojën më të mirë. Mendimi i tij është i formës së prerë dhe përfundimtar”-tha ai.

Ndërkohë javën tjetër të gjithë hartuesit e tezës, do të ngujohen pranë Agjensisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve dhe do të dalin vetëm pasi të ketë përfunduar provimi.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›