Maliq, sasi eksplozivi në banesën e kryebashkiakut

Një sasi eksplozivi është vendosur ditën e sotme në oborrin e banesës së kreut të Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu. Një sasi tritoli prej 1.5 kg u gjet sot rreth mesditës para banesës së z. Topçiu, përfaqësues i Partisë Socialiste.
Sipas burimeve të marra për “Ora News”, mësohet se lënda eksplozive, në çastin qe ka rënë në oborrin e z.Topçiu, ka qënë e mbështjellë me një letër natriban dhe e rrethuar me një fitil të ndezur. Fatmirësisht, kjo lëndë plasëse është shuar, pas kontaktit me ujin që ishte në oborr.
Sipas burimeve, mesohet se z.Topciu ka deklaruar se ky është një rast politik, ndërsa theksoi se nuk ka patur raste konfliktuale më parë. Për të, ky është një rast i paprecedentë. Topçiu është tashmë fitues për herë të katërt të kësaj Bashkie.