E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, rritet numri i personave të infektuar me SIDA

Statistikat, 10 raste të reja me SIDA në 3 muajt e parë të vitit. Shkalla e përhapjes dhe rrugët e marrjes së infeksionit vdekjeprurës

Matilda DURI

Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti (janar-mars 2009) janë zbuluar nga kontrollet 10 raste të reja me virusin vdekjeprurës HIV/AIDS, duke e çuar në 311 numrin e personave të prekur nga ky virus në vendin tonë. Shqetësuese për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë mbetet ritmi i rritjes së numrit të të prekurve nga virusi. Duke parë shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, vëmë re se kemi një tendencë në rritje të këtij infeksioni. Kështu, deri në vitin 2000 shifra vjetore mesatare e rasteve me SIDA është 6-7 raste, në periudhën 2000-2004 kjo shifër dyfishohet. Në periudhën 2004-2006 shifra mesatare vjetore shkon në 30 dhe në dy vitet e fundit kjo shifër është mbi 40, përkatësisht 44 në 2007-n dhe 46 në 2008-n.

Shpërndarja e rasteve HIV/AIDS në vite, 1993 – 2008
Vitet ‘93 ‘94 ‘95 ‘96 ‘97 ‘98 ‘99 ‘00 ‘01 ‘02 ‘03 ‘04 ‘05 ‘06 ‘07 ‘08
HIV+ 2 9 12 7 3 5 4 10 20 26 21 29 31 32 44 46
AIDS 1 4 3 2 1 4 12 10 5 6 9 7 18 14

Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve me SIDA është 104 dhe numri i vdekjeve shkon në 60 raste. Gjatë vitit 2008 numri i fëmijëve të infektuar ka arritur në 20, nga të cilët 15 janë nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 nëpërmjet gjakut.

“Feminizimi” i sëmundjes

Veç rritjes së numrit të të prekurve nga virusi, vitet e fundit vihet re rritja e numrit të femrave të prekura nga ky virus. “Feminizimi” i sëmundjes ka ardhur në rritje nga viti në vit. Sot rreth 30% e të infektuarve, ose 91 persona të infektuar janë femra, nga 311 që është numri në total. Në periudhën 2000-2001 numërohen përkatësisht 3 raste çdo vit të femrave të infektuara, ndërsa çdo vit numri i tyre shtohet për të arritur në fund të vitit 2008 në 17 femra të prekura me SIDA.

Nga totali i femrave vetëm 7% e tyre rezulton se janë infektuar jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e ka marrë virusin brenda vendit.

Emigrimi, rreziku në rritje

Shqipëria ka një ndër popullsitë me nivel shumë të lartë emigracioni e për rrjedhojë edhe rreziku i transmetimit të sëmundjes nga kjo shtresë e popullatës që emigron mbetet shumë i lartë. Sipas të raportit të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, 60% e totalit të personave të infektuar rezulton se e kanë marrë jashtë vendit virusin HIV/AIDS. Kjo përben një rrezik, sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, për shtimin e rasteve me virusin vdekjeprurës vitet e ardhshme, në rast se nuk rritet numri i testimeve vullnetare.
Përsa i përket mënyrës së transmetimit të virusit, sipas të dhënave zyrtare duket se dominon rruga seksuale (hetero+ homobiseksuale) me rreth 90% të rasteve(81% + 9%), ose 271 persona, ndërkohë që rreth 4 % ose 13 persona janë infektuar përmes gjakut.

Ndër rrugët e transmetimit të sëmundjes renditen edhe përdoruesit e drogës, si dhe transmetimi vertikal, por me një numër shumë më të vogël.

Alarmi: SIDA në Shqipëri u zbulua shumë vonë

Flet Arjan Harxhi, drejtor i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë

Personat e infektuar me virusin vdekjeprurës të SIDA-s në vendin tonë zbulohen shumë vonë, ose e thënë ndryshe, në një stad shumë të avancuar të sëmundjes. Kjo e bën më të vështirë trajtimin e këtyre pacientëve. Sipas mjekut Arjan Harxhi, drejtor i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, ky diagnostikim i vonuar, karakteristikë e vendit tonë, sjell edhe rrezikun e transmetimit të infeksionit te persona të tjerë. Një person i infektuar, i padiagnostikuar, përbën rrezik për personat e tjerë të painfektuar. Prioritet kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë mbetet rritja e numrit të popullatës që kryejnë testimin vullnetar për infeksionin, derisa të arrihet që edhe në vendin tonë ky të bëhet një kontroll rutinë. Në një prononcim për gazetën, Harxhi shpjegon arsyet pse në vendin tonë të infektuarit me SIDA diagnostikohen në një fazë të përparuar të sëmundjes dhe masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Nëpër cilat faza kalon një i sëmurë me SIDA në Shqipëri pasi diagnostikohet me këtë sëmundje? Si trajtohet ai?
Veçori për vendin tonë është diagnostikimi (apo zbulimi) i rasteve me SIDA në një stad të avancuar të sëmundjes. Kjo vjen për shumë arsye: ndërgjegjësimi i ulët për të bërë testin, stigma dhe diskriminimi që eksiton rreth testimit për këtë infeksion, si dhe aksesi dhe disponibiliteti jo i mjaftueshëm për të kryer testimin. Pasojë e këtij diagnostikimi të vonuar është vështirësia e mjekimit të këtyre rasteve që vijnë në stade të avancuara, si dhe risku i transmetimit të infeksionit nga këta persona tek të tjerë.
Trajtimi i këtyre personave bëhet pranë Shërbimit Infektiv të QSUT-së, ku së fundi është ngritur edhe Qendra ambulatore e HIV/AIDS-it, që ofron një shërbim multidisiplinar për këta pacientë. Bazën e trajtimit e përbën dhënia e terapisë me barna antiretrovirale, që jepen falas për këta të sëmurë. Pothuajse 100% e pacientëve që kanë nevojë e marrin këtë mjekim. Aktualisht në mjekim janë rreth 120 pacientë të rritur dhe fëmijë.

Është shqetësuese mungesa e kontrolleve vullnetare?

Siç e përmenda më sipër, numri i testimeve vullnetare për SIDA midis popullatës dhe sidomos atyre që i konsiderojmë me risk më të lartë për këtë infeksion është akoma i ulët. Duhet punuar më shumë për ndërgjegjësimin e popullatës, sidomos të grupeve në risk. Sot në botë po synohet që testimi për SIDA të kthehet në një testim rutinë. Kjo vjen paralel me emancipimin e shoqërisë për të mos diskriminuar personat që jetojnë me SIDA. Edhe testimi i grave shtatzëna është një çështje e rëndësishme si nga ana e parandalimit dhe transmetimit të infeksionit tek i porsalinduri, ashtu dhe në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri synojmë t’i afrohemi standardeve perëndimore për një testim vullnetar të përhapur të grave shtatzëna. Kjo do të realizohet përmes edukimit të grave, stafit mjekësor dhe përmirësimit të infrastrukturës laboratorike për testim.

Ne kemi një strategji kombëtare për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Mendoni se po zbatohet në mënyrë efikase?
Ekziston një strategji kombëtare e luftës kundër SIDA-s, e cila vitin e kaluar është rishikuar dhe përditësuar. Krahas rishikimit të strategjisë është amenduar edhe ligji i HIV/AIDS-it duke bërë rregullimet dhe përmirësimet përkatëse. Strategjia është pasuar me një plan të hollësishëm veprimi. Një rol të rëndësishëm në drejtim të mbështetjes së aktiviteteve luan projekti i Fondit Global për luftën kundër SIDA-s. Ky projekt, që prej dy vitesh, ka mbështetur shumë aktivitete dhe ndërhyrje si p.sh. blerjen e disa prej barnave antiretrovirale, mbështetjen e shumë NGO-ve, sidomos të grupeve në risk etj.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›