E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, rregullat për të mos u përjashtuar nga provimi

 

TIRANE

Rregulla të forta që duhet të zbatohen nga të gjithë. Vetëm pas pak ditësh maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Letërsisë. Për të marrë rezultatet që presin, ata duhet të bëjnë shumë kujdes më 2 qershor. Çdo gabim apo nxitim i momentit mund t’u kushtojë shtrenjtë. Nëse thyejnë rregullat, automatikisht përjashtohen nga provimi dhe e për rrjedhojë ngelen pa shkollë të lartë. Nxënësit që kujtojnë se mund t’ia hedhin lehtë duke kopjuar, do të penalizohen akoma dhe më rëndë. Nëse kapen me kopje do t’u mohohet për një vit e drejta për të kandiduar në universitet. Në rregulloren e Maturës Shtetërore janë renditur qartazi detyrat e nxënësve gjatë dhënies së provimeve me detyrim dhe atyre me zgjedhje. “Maturanti përjashtohet e nuk i njihen rezultatet, në rast se ditën e provimit nuk është i pajisur me dokument identifikimi, nuk qëndron në vendin që i caktohet, përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër”, thuhet në rregullore. I njëjti penalizim vlen edhe kur kandidati bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, merr ose jep kopje apo komunikon me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit. “Nga provimi përjashtohet edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu. Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve”, kanë vendosur specialistët e Ministrisë së Arsimit.  Gjithashtu duhet zbatuar procesi i sekretimit dhe maturantët nuk duhet të largohen para përfundimit të tij. Ata duhet të bëjnë kujdes që të mos  heqin, shkruajnë ose dëmtojnë kodin e sekretimit (barkodin), të vendosur në test apo testin vetë duke e (palosur, zhubrosur, grisur apo mosdorëzuar. “Në rast se kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit”, saktëson rregullorja. Por maturantët gjatë dhënies së provimit kanë edhe të drejtat e tyre. Në rast se ata vërejnë ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit. Nxënësve maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, veçohen në një mjedis të përshtatshëm.           z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›