E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vendi në krizë,do përgjysmojmë taksat

 

Lëvizja Socialiste për Integrim hapi dje fushatën në qytetin e Durrësit në një takim në pallatin e sportit të këtij qyteti. Në këtë takim merrte pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Shijakut, Afërdita Alite, e cila tashmë është bashkuar me LSI-në. Në fjalën e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta, u fokusua te kriza ekonomike që ka kapur vendin. Ai premtoi përgjysmimin e TVSH-së për ushqimet bazë dhe heqjen e saj në arsim dhe shëndetësi. Sipas Metës, “kjo krizë mishërohet në humbjen e vendeve të punës, në rritjen e çmimeve, në pamundësinë e qytetarit konsumator për të përballuar jetesën e përditshme, në tkurrjen e tregut dhe mpakjen e iniciativës së lirë”. Lideri i LSI-së kritikoi deklaratën e fundit të kryeministrit Berisha, sipas të cilit një kompani gjermane do të bëjë reformën në sistemin e shëndetësisë. Meta theksoi se ajo që i duhet tashmë vendit është një lidership dhe qeverisje e re. “Papunësia është problemi më i madh dhe më serioz. Me mijëra shqiptarë po humbasin vendet e punës. Mijëra biznese të vogla dhe të mesme në të gjithë vendin kanë mbyllur aktivitetin e tyre, duke lënë mijëra familje pa shpresë. Këto biznese ishin të ardhurat e vetme për familje e tyre. Ne po shikojmë çdo ditë sesi në industrinë e fasoneve po mbyllen bizneset”, vijoi më tej Meta. Ai theksoi gjithashtu se edhe bujqësia është kapur nga kriza. Sipas Metës, fermerët nuk po nxjerrin dot në treg prodhimet e tyre, megjithëse paguajnë rregullisht taksat. “Konsumi ka rënë. Besimi dhe fuqia blerëse e konsumatorëve gjithashtu. Unë kam parë në shumë dyqane lista të gjata të qytetarëve që nuk mund të paguajnë për ushqimet. Eshtë kthyer koha e ushqimeve veresie”, vijoi më tej Meta. Gjatë këtij takimi në qytetin bregdetar kreu i LSI-së propozoi përgjysmimin e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe heqjen e kësaj takse në shëndetësi dhe arsim. “Do të ulim taksat dhe tatimet për produktet bazike dhe më të nevojshme për të cilat qytetarët shqiptarë u duhet të paguajnë për të jetuar. Ne do të përgjysmojmë TVSH-në nga 20% në 10% për produktet ushqimore bazë që do të reflektohet në uljen e çmimeve të tyre. Do të heqim TVSH-në në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, në mënyrë që të ulim koston e arsimimit dhe të librave për studentët tanë, si dhe koston e shërbimeve shëndetësore dhe ilaçeve për të moshuarit”, deklaroi kreu i LSI-së. Sipas Metës do të hiqen tatim-fitimi dhe taksat kombëtare për një periudhë kohore prej 3 vitesh për të gjithë investitorët që krijojnë vende pune. “Ne duhet të shfrytëzojmë potencialin e jashtëzakonshëm të turizmit shqiptar. Ne kemi një natyrë të mrekullueshme, plazhe të bukura, male magjepsëse, vende të rralla historike. Ne do ta mbrojmë mjedisin tonë nga ndotja. Ne do të reklamojmë bukuritë e Shqipërisë në sytë e botës. Turistë nga të gjitha anët e botës duhet të ftohen për të përjetuar gjithçka Shqipëria ofron me bukuritë e saj. Duke zhvilluar më tej turizmin ne do të hapim më tepër vende pune dhe do të kemi një mjedis të gjelbër”, përfundoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›