E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, shkollat profesionale, me koeficientë më të lartë



Më 25 prill bëhen të ditur koeficientët e shkollave

Modeli, i njëjtë me vitin e kaluar

Koeficientët zyrtarë të shkollave do të publikohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës rreth datës 25 prill, që përkon edhe me shpërndarjen e formularit A2, të Maturës Shtetërore. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se koeficientët e propozuar nga universitetet dhe që po shqyrtohen nga specialistët e dikasterit, u japin përparësi shkollave të mesme profesionale të profilit përkatës. Kështu, pritet që këtë vit shkollat e mesme profesionale të kenë koeficientë maksimalë në shkollat e larta që u korrespondojnë.

Koeficientët

Në këtë mënyrë, pritet që shkollat e mesme ekonomike apo hoteleri-turizëm të kenë koeficientë 1.4 në fakultetet e ekonomisë të universiteteve publike, ashtu sikurse edhe të gjitha shkollat e tjera profesionale, në fakultetet e tyre përkatëse. Skema e pranimit të studentëve për vitin e ri akademik synon që arsimi profesional të ketë koeficientë më të lartë për kandidatët që do të aplikojnë në fakultetin që do të përzgjedhin.

Këta koeficientë do të shumëzohen më pas me notën mesatare dhe notat e dy lëndëve të detyrueshme, Letërsi dhe Matematikë, për të prodhuar shumën totale të pikëve të përfundimit të shkollës së mesme. Më pas, këto pikë, së bashku me pikët e grumbulluara nga lëndët me zgjedhje që llogariten me koeficientë të veçantë përbëjnë pikët me të cilat maturanti konkurron në shkollat e larta.

Data e publikimit të koeficientëve të shkollave është ende e paditur, por burime nga MASH-i bëjnë me dije që bëhet fjalë përpara 25 prillit, kur fillon plotësimi i formularit A2. Në këtë mënyrë, maturantët do të kenë mundësi të dinë se cilat do të jenë koeficientët e shkollës së tyre të mesme për çdo fakultet ku do të konkurrojnë e më pas të përzgjedhin degët që i favorizojnë më shumë.

Koeficientët e lëndëve

Ndërkohë, përpara pak ditësh, Ministria e Arsimit publikoi koeficientët zyrtarë të lëndëve të Maturës Shtetërore. Nota e përftuar nga lëndët me zgjedhje që ka zgjedhur maturanti, shumëzohet me koeficientët e përcaktuar për atë lëndë nga secila prej degëve që ai ka përzgjedhur për të aplikuar për në universitet.

Koeficientët e lëndëve janë të ndarë për çdo degë të çdo universiteti dhe mund të jenë 1 ose 1.3. Koeficientët vendosen për secilën nga 12 lëndët me zgjedhje të Maturës, ndërkohë që Anglishtja edhe në këtë vit do të ketë pikë maksimale për çdo degë. Këta koeficientë do të shumëzohen me notën e marrë nga studenti për lëndën në fjalë për të detajuar pikët finale të Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›