E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e lirimit,shkolla mbyllet më 5 qershor

 

Në udhëzimin e saj MASH ka caktuar edhe datat e provimeve të lirimit për arsimin 9 vjeçar. Nga sa bën me dije ky dikaster  viti mësimor për klasat e nënta do të mbyllet në datë 5 qershor. Për të realizuar programin brenda këtij afati mësuesit do të japin orë mësimi edhe ditën e shtunë. Brenda afatit të mësipërm duhet të nxirren dhe notat përfundimtare për çdo lëndë. “Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit është nga data 6 qershor deri më datë 27 qershor 2009”, saktëson udhëzimi. Kështu, nxënësit e klasës së nëntë do të japin gjuhën shqipe dhe leximin letrar në datën 13 qershor, ndërsa provimin e matematikës do ta japin në 20 qershor. Për vetë faktin se këtë vit do të aplikohen rregulla të ngjashme me maturën shtetërore, edhe testet për provimet e lirimit do të harrohen nga AVA. Ato do të jenë unike. Përjashtim nga rregullat nuk bëjnë as shkollat private. “Në institucionet arsimore private, provimet e lirimit me shkrim të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste si dhe në institucionet ekuivalente publike”, thuhet në udhëzim. Vlerësimi i testeve do të bëhet nga një komision i posaçëm. Pikët që do të grumbullojë nxënësi do t’i konvertohen më pas në notë, sipas sistemit që do të përcaktojnë specialistët. Fleta e provimit do të jetë pa emër, por do të përmbajë vetëm një numër sekretimi individual për çdo nxënës. Gjatë dhënies së provimit të lirimit, klasat e nënta nuk do të monitorohen nga mësuesit e shkollës së tyre, por nga mësues të jashtëm. Ky rregull për të shmangur favorizimet. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe gjatë vlerësimit të testeve. Mësuesit e një qyteti do të korrigjojnë provimet e një qyteti tjetër të vendit.

Provimet e lirimit

    Viti shkollor mbyllet më 5 qershor.

    Gjuha shqipe në 13 qershor

    Leximi letrar në 13 qershor,

    Matematika në 20 qershor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›