E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura shteterore, MASH publikon shpjeguesin

TIRANE- Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi sot "Shpjeguesin e Programit të Orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore për lëndët Letërsi e Gjuhë Shqipe dhe Matematikë”.

Shpjeguesi shërben për të orientuar sa më mirë të gjithë maturantët dhe mësuesit në organizimin e konsultimeve e përgatitjeve për këto provime, por dhe për prindërit dhe opinionin publik”, tha për mediat zëdhënësja e MASH, Albana Mustafaraj.

Ajo bëri të ditur se shpjeguesi mbështetet mbi programin e orientuar të publikuar më parë dhe përmban një fond të gjerë pyetjesh sipas niveleve të ndryshme të vështirësisë dhe për të gjitha profilet e llojet e shkollave të mesme. Mbi këtë bazë, tha ajo, do të formulohen edhe pyetjet e testeve të Maturës Shtetërore.
Lënda shpjeguese është përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve dhe është konsultuar me specialistë dhe mësues të lëndëve të Letërsisë, Gjuhës Shqipe dhe Matematikës.
Përmes këtij shpjeguesi dhe një fondi kaq të gjerë pyetjesh, MASH synon të ndihmojë të gjithë maturantët për t’u përgatitur sa më mirë për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›