Korrupsioni në Kosovë, BE-ja u bën thirrje autoriteteve
Blerina Olldashi
Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem shqetësues në Kosovë dhe për këtë arsye qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme. Kështu është shprehur në një intervistë për BBC-në, shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian në Prishtinë, Renzo Davidi. Sipas tij, BE-ja mbetet i shqetësuar për përmasat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë edhe pse qeveria kishte ndërmarrë disa hapa për luftimin e këtyre dukurive. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës u njoh me raportin për progresin në vend si dhe krimin e organizuar dhe korrupsionin. Davidi konsideron se që nga publikimi i dokumentit ka pasur reagime nga ana e qeverisë, megjithatë mbetet ende për të bërë në këtë drejtim. “Në të vërtetë ka pasur disa reagime, duke filluar nga momenti i publikimit të raportit të progresit. Mendoj se ende ka mjaft punë për t’u bërë për të adresuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- thotë shefi i zyrës së KE-së. Përsa u përket zërave se raporti i progresit për këtë vit mund të jetë më kritik se ai paraprak, Davidi shprehet se nuk duhet të spekulohet lidhur me këtë çështje, kur në të vërtetë ai ende nuk është shkruar. “Nuk e kuptoj se si dikush mund të spekulojë në këtë fazë për përmbajtjen e raportit, i cili ende nuk është shkruar. Siç e dini ne e kemi traditë hartimin e raporteve për shumë vende, përpiqemi të jemi të saktë dhe objektivë, marrim parasysh një shumëllojshmëri burimesh, përpiqemi t’i verifikojmë ato sa më shumë që mundemi. Mendoj se në vjeshtë do të mund të dimë a do të jetë raporti më shumë apo më pak kritik se sa në vitet paraprake, por unë dua të besoj se ai do të jetë po aq i saktë sa edhe ai i vitit të kaluar”, tha Davidi, i cili po ashtu sqaroi se qeverisë i janë dhënë disa udhëzime për fushat në të cilat duhet të përqëndrohet më tepër. “Ne kemi identifikuar një numër fushash në të cilat presim që autoritetet të ndërmarrin masa dhe madje jemi munduar t’u ofrojmë asistencë teknike dhe këshilla. Shembull për këtë është prokurimi publik”, thotë zyrtari i lartë i KE-së. Davidi tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe para se të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. “Ky problem duhet të zgjidhet para anëtarësimit. Në çfarë mënyrë do të zgjidhen është vështirë të thuhet, por mendoj se do të ketë një formë të dialogut politik që duhet të ofrojë një zgjidhje. Mënyra më e lehtë për të filluar sipas mendimit tim është duke i marrë parasysh çështjet praktike me interes të përbashkët, për të cilat njerëzit mund të ulen dhe të bisedojnë, si për shembull furnizimin me ujë në Mitrovicë, privatizimin apo zhvillimin e turizmit në Brezovicë, çështje që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Mendoj se ka shumë fusha në të cilat gjërat mund të përparojnë në mënyrë shumë praktike dhe më pas të shikohet se si mund të zhvillohet dialogu politik.
Greqi, Qeveria fillon bisedimet me FMN-në për ndihmën
Qeveria greke ka filluar konsultimet mbi mekanizmin ndihmës, i cili, sipas ministrit grek të financave do të mund të aktivizohet në çdo moment që Greqia e gjykon të nevojshme. Zyrtarë të FMN-së dhe BE-së kanë takuar ministrin grek te financave për të finalizuar detajet e paketës së ndihmës financiare me vlerë disa miliarda dollarë për të ndihmuar Greqinë në pagimin e borxheve të saj. Analistët thonë se grekët mund të ndodhen përballë masave të rrepta të pritet të njoftohen nga FMN. Ministri grek i financave, ka përsëritur edhe njëherë se qeveria do të vendosë për aktivizimin e mekanizmit të ndihmës, atëherë kur kjo të jetë e nevojshme. Dhe sipas tij, kjo hë për hë, nuk është ngutshme.
“Nuk ka gjasa që edhe gjatë muajit maj Greqia të gjendet e varur. Pasi, ose nga tregjet, ose nëpërmjet mekanizmit të ndihmës, do të kemi fondet që na nevojiten për muajin maj”, tha ministri Papakonstandinu gjatë një konference shtypi. Ai la të kuptohet se edhe pa u vendosur modelitetet e mekanizmit, Greqia mund të marrë disa prej kredive të premtuara nga vendet e eurozonës.
Incidenti në kufirin e Maqedonisë, EULEX-i vë në dijeni Brukselin
Menjëherë pas incidentit në kufirin e Maqedonisë, ku janë përfshirë punonjës rumunë të misionit EULEX, ky i fundit ka vënë menjëherë në dijeni Brukselin zyrtar dhe autoritetet e Rumanisë.
Raportet për incidentin, EULEX-i i trajton me “seriozitet të jashtëzakonshëm”, ndërsa shefi i misionit ka kërkuar hetime të menjëhershme. “Autoritetet e Rumanisë po merren urgjentisht me këtë rast, pasi ai ka ndodhur jashtë Kosovës dhe ku u përfshinë pjesëtarët rumunë të misionit, që ishin në pushim”, thuhet në njoftim. Raportohet se shtetasit rumunë, punonjës të misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, të përfshirë në kontrabandën e cigareve dhe pijeve alkoolike, janë zënë në Bllacë, që është vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës e Maqedonisë.
Kinë
Vendi në zi për 2.064 viktimat e tërmetit
Kina ka përkujtuar viktimat e tërmetit të rëndë të një jave më parë. Në të gjithë vendin flamujt para ndërtesave shtetërore u ulën në gjysmë-shtizë, në televizion nuk u transmetuan emisione zbavitëse, teatrot dhe kinematë qëndruan të mbyllura. Në Xining, kryeqyetin e provincës Qinghai ku ndodhi tërmeti, mijëra njerëz mbajtën tri minuta heshtje. Tërmeti i një jave më parë u mori jetën 2.064 vetëve, 175 janë ende të humbur, rreth 12.000 u lënduan. Moti i keq pengon aktualisht fluturimet me ndihma në rajonin e largët, ku më shumë se 100.000 banorë kanë mbetur të pastrehë.
Kolumbi
6 të vdekur nga përplasja e helikopterëve ushtarakë
Gjashtë ushtarakë, mes të cilëve një gjeneral kanë vdekur në Kolumbi pas përplasjes se dy helikopterëve. Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare të ushtrisë. Sipas të dhënave, përplasja ndodhi gjatë manovrave ushtarake në momentin e uljes, jo shumë larg nga lokaliteti Kaparral në distriktin e Tolimas në qëndër të Kolumbisë. Ushtria kolumbiane mbështetet fuqishëm me bazë logjistike nga Uashingtoni për shkak të luftës ndaj bandave të drogës dhe karteleve të drogës.
22 Prill 2010