E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura shtetërore, shpërndahet sot formulari A2

TIRANE- Ministria e Arsimit shpërndan sot nëpër drejtoritë arsimore, dhe zyrat arsimore rajonale, formularin A 2 ku maturantët duhet të zgjedhin 10 prej 289 degëve, (që përmban ky formular) që dëshirojnë të vazhdojnë në Universitet.

Me të marrë në dorë formularin A 2 maturantët kanë kohë për plotësimin e tij deri më 28 korrik.  

Një rëndësi të madhe për të marrë pikë më të larta, në degët që preferojnë maturantët kanë edhe koeficientët që universitetet vlerësojnë gjimnazet se ku këta kandidatë kanë studiuar. Koeficientët nisin nga më i ulëti 1.0 deri te 1.4.

Çdo maturant, në mënyrë absolute nuk është e lejueshme që të marrë formularin origjinal, por fotokopjen e tij sepse formularët origjinalë administrohen nga shkolla. Rezultatet e formularit A2, do të dalin në bazë të lexuesit optikë.

Nëse të rinjtë do të kenë pakënaqësi rreth pikëve të tyre, ata mund të plotësojnë formularin e ankesës për korrigjimin pranë shkollave të tyre. Arsimtarët thonë se këtë vit, për herë të parë, gjatë vlerësimit të formularëve do të kenë dhe mesataret e nxënësve, cka do shmangte cdo lloj pasaktësie në rezultate. 

Maturantët duhet të kenë kujdes që nota mesatare e juaj të shkruhet e saktë me shifra dhe me fjalë nga mësuesi kujdestar. Është e detyrueshme që ky formular të plotësohet më poshtë me: Emër, Mbiemër dhe Firmë, tuajën; Emër, Mbiemër dhe Firmë të mësuesit kujdestar; Emër, Mbiemër dhe Firmë të drejtorit të shkollës si dhe Vulën e shkollës. Mungesa e njërit prej këtyre elementëve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›