E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Studentë pajisuni me karta deri më 1 maj

 

“Karta e re e identitetit tonë shtetëror është e parametrave më të larta në Evropë dhe ju përafron ju denjësisht me studentët perëndimorë. Le të jenë studentët shtresa e parë e shoqërisë shqiptare që ka 100% ID tonë të re evropiane”. Këtë mesazh u dha dje studentëve ministri i Arsimit Fatos Beja. Ai vlerësoi thirrjen e Këshillit Kombëtar Studentor në Website-in e tij për të sensibilizuar mjediset studentore me këtë nismë që synon të shpejtojë lëvizjen, liberalizimin e vizave, integrimin, progresin dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare. “Çmimi prej 200 lekë që vendosi qeveria për të gjithë ata studentë, që nuk kanë pasaportë dhe aplikojnë për ID deri në 1 maj e lehtëson shpejtësinë tuaj të veprimit. Unë ju ftoj të promovojmë bashkërisht me shoqatat tuaja studentore dhe profesorët tuaj, që në datën 1 maj të mos ketë student pa aplikuar për ID dhe pa pasaportë”, tha Beja. Ai i ftoi që të jenë promotorë të thirrjes për pajisjen me karta tek çdo i ri, tek çdo familje, tek çdo mjedis. Kjo për të mos humbur asnjë minutë kohë për të aplikuar, për të garantuar zgjedhjet dhe demokracinë. “Me këtë akt qytetar, ne hapim edhe një portë tjetër  drejt integrimit në Bashkimin Evropian, misionarë elitarë të së cilit ju jeni. Shoqëria shqiptare beson shumë tek ju. Ne besojmë shumë tek ju dhe tek angazhimi juaj. Ju, studentët jeni fytyra evropiane e kombit”, tha Beja. Por ndërsa ministri i Arsimit fton studentët të pajisen me karta, pensionistët kërkojnë që ato t’u jepen falas. Disa ditë më parë ata kanë protestuar madje para Kryeministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›