Matura, teste për 10 shkolla
ZIRINA LLAMBRO
Një test paraprak për të parë nivelin e maturantëve që do t’u nënshtrohen provimeve këtë vit. Por kjo është vetëm një nga arsyet pse Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve ka vendosur të aplikojë këtë skemë. Arsyeja më e fortë është ndihmesa që rezultatet e marra do t’u japin specialistëve në hartimin e pyetjeve. Pjesë e këtij pilotimi, nga sa bën me dije AVA, do të jenë 10 shkolla të mesme. Më të shumta në numër në Tiranë. “Kemi menduar dhe është vënë në dispozicion edhe fondi përkatës që të pilotojmë në 10 shkolla teste me pyetje të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore të këtij viti. Kjo është ndihmesë për ne për të vijuar më tej me kalibrimin e pyetjeve të testeve përfundimtare”, sqaroi kreu i AVA-s, Edmond Lulja. Sipas tij, pjesë e pilotimit do të bëhen kryesisht gjimnazet e kryeqytetit, por edhe në disa prej rretheve kryesore. Vitin e kaluar, nga paratestimi që u bë në disa shkolla rezultoi se maturantët problemet më madhore i kishin në lëndën e matematikës, që është edhe një prej provimeve të detyruara. Duke iu referuar këtyre rezultateve, specialistët u munduan të hartojnë në mënyrë të tillë testin final që të ishte sa më i kuptueshëm, duke i bërë pyetjet sa më të qarta. “Prandaj pilotimi është i rëndësishëm, për të na dhënë një lloj udhëzimi në këtë aspekt”, sqaroi Lulja. Ai nënvizoi se ashtu si çdo vit të Maturës Shtetërore, pyetjet e provimit do të jenë tërësisht brenda programeve orientuese për çdo lëndë. Nxënësit i kanë tërhequr ato në shkolla që prej më shumë se një muaji dhe mund të përgatiten mbi bazën e tyre. Sa i përket shkallës së vështirësisë, nuk pritet të ketë ndryshime të ndjeshme. Shpërndarja e pyetjeve në test do të jetë e njëjtë si vjet. Prioritet në hartimin e testeve do t’i jepet “vjeljes” së njohurive të vërteta të nxënësve. Në këtë mënyrë do të shmanget vlerësimi apriori i tyre. Të gjithë ata që përfundojnë shkollën e mesme duhet të japin me patjetër provimin e letërsisë dhe matematikës, për të marrë dëftesën e pjekurisë. Datat e përcaktuara nga ministria, për dhënien e tyre, janë përkatësisht 2 qershori për të parin dhe 11 qershori për tjetrin. Me kalimin e suksesshëm të këtyre dy testeve, nxënësit shlyejnë detyrimet e shkollës së mesme. Nëse duan të vijojnë shkollën e lartë, ata duhet të japin me çdo kusht edhe provimet me zgjedhje. Në të gjithë vendin, nxënësit do t’u nënshtrohen atyre më datë 10 korrik. Si për lëndët me detyrim, ashtu edhe në atë me zgjedhje, pyetjet me zhvillim do të zënë peshën kryesore.
Maturantët e 3 viteve të fundit mbartin lëndët me zgjedhje
Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007;2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto raste ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.
Vlerësimi
Procesi i vlerësimit të provimeve do të kryhet në 4 qendra. Tre prej tyre do të ngrihen përkatësisht në Shkodër, Elbasan, Fier dhe një në kryeqytet. Përveç rezultateve, që do të dalin më shpejt, në këtë mënyrë shmangen edhe abuzimet. Testet do të shkëmbehen nga njëri rreth tek tjetri. Fletët e provimit do të jenë të mbyllura dhe të pajisura me kod të veçantë identifikimi për çdo maturant, të dhënat e të cilëve ruhen pranë AVA. Pra në to nuk do të ketë emra, çka e bën më të lehtë vlerësimin objektiv për secilin nxënës. Skema e tij është mbi bazën e pikëve të cilat më vonë konvertohen në notë.