E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, kritika në Sarandë

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Me fjalë të ashpra u është drejtuar kryeprokurorja Ina Rama vartësve të saj në Sarandë gjatë analizës për punën e vitit 2008. “Të gjithë e dimë, - u shpreh Rama, se kjo është një prokurori me probleme”, duke iu referuar edhe shkarkimit të dy prokurorëve dhe procedimit disiplinor të cilit po i nënshtrohet ish-kryeprokurori i Sarandës.
Kontrollet e ushtruara nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë çuar në marrjen e masave disiplinore për dy prokurorë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore. Gjithashtu, numri i madh i çështjeve të mbartura e sidomos ato të pushuara, masat e sigurimit, që janë në mospërputhje me rrezikshmërinë apo edhe masat e dënimit, kanë qenë argumentet kryesore për të arritur në këto përfundime. Prokuroria e Sarandës vitet e fundit ka qenë në qendër të kritikave të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ekipeve të kontrolleve të ndryshme të kryera për punën e saj, si: çështjet e mbartura ndër vite, por edhe vonesat në hetim, pushimin e çështjeve të ndryshme si dhe mbajtjen në arrest me burg të personave që pas hetimeve rezultonin të pafajshëm. Prokuroria e Përgjithshme ndaj prokurorëve e oficerëve gjyqësorë të Sarandës ka marrë herë pas here masa të ndryshme deri në largime nga puna. Një sërë shkaqesh kanë ndikuar në problematikat e punës së prokurorisë së rrethit Sarandë, si mosndjekja me efikasitet nga ana e prokurorëve për dosje të veçanta apo zvarritjet në hetime. Këto kanë çuar deri në pushim apo lirim të personave të akuzuar për veprën më të rëndë, “vrasje”. Janë pushuar një sërë veprash apo është vendosur mosfillimi i tyre, si për “shkatërrim të pronës”, “falsifikim të dokumenteve” apo “shpërdorim detyre”. Duke marrë shkas nga justifikimi i punës së pamjaftueshme të Policisë Gjyqësore dhe mungesave gjatë hetimit si dhe faktin që për dy vjet prokurorët nuk kanë qenë të pranishëm në vendngjarje për mungesë personeli dhe nuk kanë marrë pjesë në hetimet paraprake, kryeprokuroja Rama evidentoi se nuk mund të justifikohen rastet e mbartjes së çështjeve “pse nuk punon Policia Gjyqësore”. Prokurorja Rama kritikoi qëndrimin ndaj rasteve të mbajtjes padrejtësisht në burg të personave të veçantë, të cilëve nuk u provohet fajësia. “Këtu bëhet fjalë për shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe këto raste duhet të na shqetësojnë seriozisht”.
Objekt i problematikës së prokurorisë së rrethit të Sarandës, siç evidentoi kreu i saj, Alfred Agolli, kanë qenë veprat penale të dëmtimit të pronës, vjedhjes etj. Këto çështje kanë zënë pjesën më të madhe të problematikës së prokurorisë. Ndërkohë, sipas tij, dosjet e mbartura po pakësohen, pasi muajt e fundit organika është kompletuar edhe me dy prokurorë të rinj si dhe mjediset tanimë janë funksionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›