E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, vlerësimi i provimeve në mënyrë manuale

Provimet e Maturës Shtetërore do të korrigjohen në mënyrë manuale. Bëhet fjalë jo vetëm për pyetjet me zhvillim, por edhe esenë. Përveç kësaj, mund të ketë pyetje që janë zgjidhur pjesërisht, ndaj elementë të tillë e bëjnë të pamundur korrigjimin elektronik. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë me dije se për sa kohë që testet nuk do të jenë tërësisht me alternativa, një metodë e tillë nuk mund të zbatohet. Vlerësuesit e testeve janë të detyruar që 5 llojet e provimeve për afro 40 mijë maturantë ti korrigjojnë me dorë. Madje, jo vetëm një herë, por deri në tri herë, që do të thotë se secili test do të rishikohet nga disa duar vlerësuesish. Kjo është arsyeja që në rregulloren e Maturës Shtetërore është hequr e drejta e ankimimit dhe e ndryshimit të rezultatit. Maturantët nuk do të kenë mundësi të ankimojnë rezultatin e asnjërit prej provimeve të Maturës Shtetërore. Rregullorja për këtë vit nuk ka asnjë nen ku të përmendet fjala ankimim, apelim apo ndonjë fjalë e përafërt që të japë këtë ide. Në të gjithë rregulloren prej disa faqesh, ekziston vetëm një nen që u jep maturantëve vetëm të drejtën për ta fotokopjuar testin. Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KMSh-së së DAR/ZA-s. Afatet e kërkesës përcaktohen me një udhëzim të veçantë nga MASH, thuhet në rregullore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›