E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, zbardhen modelet e testeve për provimin e Letërsisë

“Ngujohen” sot në AVA 20 specialistët për provimin e parë të detyruar. Mbi 45 mijë maturantë në shkallë vendi do të marrin pjesë në këtë provim

“Ngujohen” sot në Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), 20 specialistët që do të hartojnë tezat e provimit të parë të Maturës Shtetërore, provimit të Letërsisë. Si çdo vit, hartuesit e pyetjeve të provimit do të “izolohen” për të përgatitur dhe shumëfishuar testet e provimit të parë të Letërsisë, për mbi 45 mijë maturantë. Burime nga AVA konfirmojnë se fondi i pyetjeve është më i madh se vitin e kaluar.
Testet
Specialistët e arsimit shpjegojnë se lloji i testit me të cilin do të provohet maturanti, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet do të hartohen teste, në varësi të profilit të arsimit, të cilët do të jenë në dy variante A dhe B. Përgatitja e testeve sipas profilit të shkollave është bërë pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, nuk janë të njëjta për tipa të ndryshme shkollash. Testi i provimeve të Maturës, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim (37 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë dy orë e 30 minuta.
Izolimi
Ashtu si çdo vit, hartuesit e tezave të provimeve së bashku me punonjësit e tjerë të AVA-s, nuk do të kenë asnjë mundësi komunikimi, celular, internet, ndërkohë që do të ruhen nga forca të policisë. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, hartuesit e tezave janë dy mësues shkolle, që do të zgjidhen nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, ndërkohë që numri i të “ngujuarve” shkon në 20 persona. Sipas tij, hartuesit e testeve janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve. “Edhe pse mbarojnë punën në ditën e parë të futjes brenda në ambientet e AVA-s, ata do të dalin vetëm pasi të jetë shpallur e të jetë hapur testi në mjediset publike, pra, në shkolla”, - pohon Fatmir Vejsiu. Pasi specialistët të kenë përgatitur tezat përfundimtare të Letërsisë, do të nisë shpërndarja e testeve në çdo mjedis, ku do të zhvillohen provimet e Maturës. Testet do të dërgohen me një kuti të vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe elementët e nevojshëm për zhvillimin e provimit. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, maturantët kanë të drejtë të kërkojnë rivlerësim të tezave të tyre, të cilat do të bëhen nga komisione të posaçme që do të ngrihen pranë AVA-s.

Gjimnazet profesionale, zhvillohet nesër provimi shkollor

Zhvillohet nesër provimi shkollor në gjimnazet profesionale. Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare janë: formimi teorik profesional si dhe formimi praktik profesional. Tezat e provimeve për nxënësit e profesionaleve janë përgatitur nga vetë shkollat dhe jo nga AVA-ja, siç ndodh me provimet e tjera të Maturës. Nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave socialkulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t’i japin provimet shkollore me gojë në sesionin vjeshtës.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›