Universitetet, ndryshojnë rregullat për plotësimin e formularit A2
Jonida Tashi
Formulari A2, i cili është vendimtar për të vijuar studimet e larta, mund të dorëzohet edhe pa i plotësuar 10 preferencat. Ndryshimi i përcaktimit të degëve në formularin A2, nga 10 preferenca që duhet të shënoheshin detyrimisht një vit më parë, në më pak se 10, është bërë për të evituar konfuzionin e maturantëve dhe specialistëve në llogaritjen e pikëve. Përzgjedhja e sa më pak degëve, do të ndihmonte specialistët për të nxjerrë sa më parë rezultatet e provimeve, por edhe vetë maturantët, të cilët nëpërmjet llogaritjeve paraprake bëjnë një matje të forcave të tyre se në cilin fakultet mund të shpallen fitues.
Plotësimi
Specialistët e arsimit konfirmojnë se plotësimi i formularit A2, do të nis në fund të muajit qershor. Duke qenë se ky formular është vendimtar për studimet e larta, specialistët e arsimit shpjegojnë se plotësimi i tij duhet të bëhet pasi maturantët të jenë njohur me rezultatet e dy provimeve me detyrim, si dhe notën mesatare. Sipas specialistëve, mbi bazën e rezultateve të marra, maturantët duhet të zgjedhin ato degë në të cilat shanset për të fituar janë më të mëdha. Kështu, nxënësit, të cilët kanë rezultate më të larta në lëndët shkencore, do të kenë më shumë mundësi që të fitojnë një degë të profilit shkencor, pasi dhe koeficientet janë më të larta. Ndërkohë që po i njëjti nxënës do të ketë probabilitet më të vogël për t’u shpallur fitues në lëndët e profilit shoqëror, ndaj dhe përzgjedhja duhet bërë me shumë kujdes. Për këtë, nxënësit duhet ta lexojnë me shumë kujdes listën e degëve në formularin A2 për të gjetur degët që preferojnë. Në renditjen e preferencave në formularin A2 maturantët duhet të kenë në vëmendje se e para zgjidhet dega që preferohet më shumë, e dyta ajo që preferohet nëse nuk do të fitojnë në preferencën e parë e kështu me radhë. Mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilën degë, gjithmonë nëse kandidatët kanë mbledhur pikët e nevojshme.
Kjo do të thotë që kandidati jo vetëm duhet të llogarisë paraprakisht pikët që mund të fitojë (afërsisht), por dhe të synojë për konkurrim në ato programe studimi ku mund të fitojë.
Pikët
Pikët që fituesit e fundit kanë grumbulluar një vit më parë, janë të rëndësishme për maturantët e sivjetshëm, në mënyrë që ata të orientohen se me sa pikë arrihet të fitohet dega e tyre e preferuar. Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, secili maturant mund të llogarisë përafërsisht se sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta. Specialistët kanë përcaktuar edhe formulën e llogaritjes së pikëve për të fituar të drejtën e studimit. Formula llogaritëse e pikëve, është: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku: NM - nota mesatare e shkollës së mesme, D1 - nota e marrë në provimin e parë të detyruar, D2 - nota e marrë në provimin e dytë të detyruar, Ksh – është koeficienti i shkollës, K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje.
Tarifa për plotësimin e formularit A2
Çdo kandidat që jep provimin/provimet me zgjedhje, paguan tarifën e Maturës Shtetërore në mënyrë individuale, sipas udhëzimit të posaçëm që dërgon MASH-i para se të dorëzohet i plotësuar formulari A2. Për të marrë formularin A2 nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 15 lekësh. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal, që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimi. Në qoftë se për arsye të ndryshme kandidati nuk merr pjesë në provimin me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet.
27 Maj 2009