Topi, këshilla grave: Mos u bëni si burra nëpër debate
Presidenti Bamir Topi kritikon vendosjen e një kufiri prej 30 për qind për pjesëmarrjen e grave në garën elektorale të 28 qershorit. Por duke folur në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në Programin e NDI-së “Zhvillimi i Liderëve të Rinj në Politikë – Gratë në Advokim”, kreu i shtetit tha se sistemi proporcional rajonal rrit mundësitë që gratë të kenë një përfaqësim më të madh në Parlament, në krahasim me një sistem maxhoritar të pastër. “Nuk kam qenë i lumtur që është vendosur një shifër 30%, absolutisht. Nuk është mirë të vendosim standarde mekanike, puna është të krijojmë kushte, të krijojmë hapësira që konkurrimi të jetë i lehtë, i lehtë edhe për gratë. Ligji proporcional sigurisht që e favorizon këtë punë, sepse ligji mazhoritar, pavarësisht përfaqësimit që kishte, i vendoste zonjat në një pozicion të diskriminuar”, u shpreh kreu i shtetit. Sipas tij, “ligji mazhoritar e përballte me shumë situata të vështira, që edhe vetë meshkujt do ta kishin shumë të vështirë për të përballuar rivalët e tyre. Jam i bindur që ligji proporcional me vendosjen e kësaj kuote, sigurisht që është një arritje e konsensusit të partive politike që uroj që ta kenë seriozisht”. I nxitur edhe nga debatet e fundit publike të grave kandidate për zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i shtetit u ka bërë thirrje atyre të mos humbasin natyralitetin e tyre. “Unë ju bëj thirrje të keni solidaritet, ta ndihmoni njëra-tjetrën dhe pse përfaqësoni kampe të ndryshme, duhet që dialogu juaj, debati juaj të jetë shumë elegant dhe të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër, që bëhet midis politikanëve burra. Kjo është e dukshme”, theksoi kreu i shtetit. Nga ana e tij ambasadori amerikan, John Withers, i pranishëm në këtë ceremoni theksoi se, “gruaja është partnere e barabartë në politikë, në vendimmarrje dhe në çdo aspekt tjetër të jetës. Pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje të mos trajtohet si simbolikë, por gruaja të trajtohet si e barabartë bazuar në punën dhe meritën e saj”.