E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët e fshatit rezultate të ulëta në letërsi

Autori i Lajmit: red.
Nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Vlorës kanë arritur rezultate më të larta se nxënësit e zonave rurale, në lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe, provimi i parë i Maturës Shtetërore, i zhvilluar më 9 qershor. Drejtori Rajonal i Arsimit, Aristidh Çipa, tha se diferenca mes shkollave të mesme të qytetit dhe atyre të zonës periferike, ishte mjaft e ndjeshme, veçanërisht në shkollat e mesme të fshatrave Kuç, Vranisht, Brataj, Gjorm etj, ku rezultatet ishin të ulëta. "Këto rezultate janë rrjedhojë e problemeve që ka me kuadrin mësimor në këto shkolla, gjë që përbën edhe një sinjal për masat që duhet të merren në këtë drejtim",- theksoi Çipa. Ai nënvizoi se në shkollat e mesme të përgjithshme "Ali Demi", "Mustafa Qemal Ataturku", shkolla jopublike nr.1, maturantët arritën rezultate mjaft të mira në provimin e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, gjë që pritet të rikonfirmohet edhe në lëndën e matematikës. Ali Belshi, drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme "Ali Demi" në qytetin e Vlorës, bëri të ditur se 242 nxënës maturantë që iu nënshtruan provimit të letërsisë shënuan një notë mesatare 7.8, ose 0.5 më e lartë, krahasuar me vitin mësimor, 2006-2007". Sipas tij, kalueshmëria ishte 100 për qind dhe 8 nxënës u vlerësuan me notën maksimale. 60 për qind e nxënësve në këtë provim merituan notat 9 dhe 8, ndërkohë që nota më e ulët ishte 6-ta. Drejtori Belshi tha se vitin e kaluar ky institucion arsimor u vlerësua me vendin e parë dhe meritoi "Prizmin e Artë", për rezultatet e larta në provimin e Maturës Shtetërore, në lëndën e Matematikës".
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›