E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë e Igumenicë, sekuestrohen 246 kg drogë shqiptare

Policia greke e bllokoi sapo u kalua kufiri.

Gjatë dy operacioneve të zhvilluara njëri në Vlorë dhe tjetri në kufirin grek me Sarandën u sekuestruan 248 kg kanabis. Policia e Vlorës bëri të ditur se organizoi operacionin e koduar “Gjormi” dhe sekuestroi rreth 191 kg kanabis sativa. Operacioni që u zhvillua rreth orës 20:00 nga strukturat e Luftës Kundër Narkotikeve, u finalizua edhe me prangosjen e dy personave. Burime të Policisë bënë të ditur se të arrestuarit janë shtetasit Demir Selamaj, 22 vjeç dhe Ritvan Çobaj, 19 vjeç, të dy banues në fshatin Gjormë. “Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dhe në sajë të punës hetimore intensive 1-mujore të bërë për verifikimin e tyre është ushtruar kontroll në banesën e tyre në fshatin Gjorm. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur 21 thasë dhe 1 bidon i mbushur me lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit kanabis sativa, me një peshë të përgjithshme prej 191.6 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bëri të ditur Policia. Dyshohet se lënda narkotike po bëhej gati për t’u trafikuar jashtë vendit nëpërmjet pikës kufitare të Greqisë.
Ndërkaq, policia greke sekuestroi në kufi 156 kg kanabis sativa. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia ka pikasur një automjet që qëndronte në mënyrë të dyshimtë në kufirin shqiptaro-grek, mes Konispolit dhe Igumenicës. Pasi mjeti ka lëvizur për në brendësi të tokës greke, policia organizoi kontroll në Sajadhë të Igumenicës. Drejtuesi i fuoristradës i është bindur shenjës për ndalim edhe pse transportonte drogë. Gjatë kontrollit, në kabinën e pasagjerit dhe në bagazh u sekuestruan 5 çanta të zeza sportive, me 140 pako natribani me një sasi totale 156 kg dhe 670 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Drejtuesi i mjetit, një shtetas grek 33-vjeç, është arrestuar nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Nga hetimet u zbulua se droga u është marrë në kufi disa shtetasve shqiptarë me destinacion kryeqytetin grek, Athinë.                         q.b/sh.d

Transferimi
Rasti i djeshëm i trafikut ndërkombëtar të hashashit vjen tri ditë pas një rokade që përfshiu dy komisariatet e Sarandës, të Kufirit dhe Rendit. Shefi i Komisariatit të Kufirit, Jashar Bakiasi dhe disa shefa sektorësh e oficerë të Policisë së Rendit, janë transferuar nga Saranda, por nuk konfirmohet nëse shkak janë bërë precedentët e fundit të drogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›