E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj në Greuther Furth

Mërgim Mavraj ka nënshkruar kontratë trivjeçare me Greuther Furthin. Marrëveshja e mbrojtësit kosovar me klubin gjerman hyn në fuqi nga fillimi i korrikut. Por, 24-vjeçari ka gjasa t’i bashkohet klubit të ri edhe gjatë janarit, nëse e liron Bochumi. Nga Valdet Hasani më 05 janar 2011 në ora 12:35

Mërgim Mavraj ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te klubi gjerman, Greuther Furth. Mbrojtësi kosovar me klubin nga Bundesliga 2 ka nënshkruar kontratë trivjeçare derisa pritet t’i bashkohet gjatë verës këtij viti.

Mbrojtësi shtatlartë ka gjasa që edhe gjatë afatit kalimtar të janarit t’i bashkohet Greuther Furthit, nëse drejtuesit e kësaj të fundit arrijnë marrëveshje me Bochumin, e cila ka kontratë me Mavrajn edhe gjashtë muaj.

“Kam nënshkruar kontakt me Greuther Furthin deri në vitin 2014. Nga fillimi i korrikut pritet t’i bashkohem klubit të ri, por ka gjasa që këtë ta bëjë gjatë janarit nëse Greuther Furth dhe Bochum arrijnë marrëveshje”, ka thënë Mavraj për Express.

Ish-mbrojtësi i klubit gjerman, Darmstadt 98, tregon se ka pasur oferta edhe nga klube të Bundesligës, por ka vendosur që t’i bashkohet Greuther Furthit, ku dëshiron të zhvillohet ende si futbollist.

“Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen që kamë bërë. Së pari jam në një ekip që ka besim të madh në mua dhe do të mundohen të më bëjnë lojtar shumë më të mirë pasi në Bochum është ndalur zhvillimi i talentit tim si futbollist dhe si person”, ka thënë 24-vjeçari.

Pas 17 xhirove të kaluara në Bundesliga 2, Greuther Furth zë vendin e gjashtë me 30 pikë të tubuara, 3 më pas sesa Augsburgu dhe Hertha që ndajnë dy pozitat e parë në renditjen tabelore.

“Synimi i klubit është të ngjiten në Bundesliga derisa nga unë pritet që të bëhem lideri i skuadrës”, ka përfunduar Mavraj, i cili me skuadrën e Bochumit ka zhvilluar rreth 70 ndeshje.

Mavraj në vitin 2007 nga Darmstadt 98 ishte transferuar në Bochum, ku ishte bërë pjesë e rëndësishme e klubit. Mirëpo, disa mosmarrëveshje me trajnerin Friedhelm Funkel kanë bërë që Mavraj para kohe të ndahet me Bochumin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›