Viti i ndërkombëtarizimit
Sporti kosovar as në vitin 2010 nuk ia doli të ndërkombëtarizohet. Madje një gjë të tillë nuk ia ka dalë të bëjë qoftë edhe një federatë e vetme sportive.
Por, të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare, përgjegjëse për sportin e Kosovës, presin që në vitin 2011 sporti i shtetit më të ri në botë do të ndërkombëtarizohet, nëpërmjet inkuadrimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Mirëpo, për t’u ndërkombëtarizuar KOK-u, Kosova duhet të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Po ashtu, para se KOK-u të inkuadrohet në KON, duhet që pesë federata sportive kosovare të inkuadrohen në federatat përkatëse ndërkombëtare.
Megjithatë, Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, thotë se ky institucion është duke u angazhuar që gjatë vitit 2011 të plotësohet ky kusht nëpërmjet një strategjie të konkretizuar dhe të harmonizuar me federatat sportive, Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) dhe Komisionin Parlamentar për sportin.
“I kemi identifikuar federatat që kanë rrethanat më lehtësuese për t’u pranuar në federatat përkatëse ndërkombëtare. Jemi duke punuar në krijimin e federatave të reja, për të cilat, statutet e federatave ndërkombëtare e lejojnë pranimin e tyre. Jemi të bindur që në vitin 2011, këto federata do të njihen, KOK-u do të aplikojë, si dhe, normalisht, mbetet që edhe pavarësinë e Kosovës ta njohin më shumë shtete”, ka deklaruar Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Por, ai nuk i ka treguar emrat e federatave të reja të cilat planifikohet të themelohen në Kosovë. Po ashtu, Hasani ka theksuar se tashmë janë pesë ose gjashtë federata sportive kosovare një hap larg ndërkombëtarizimit, si Federata e Mundjes, Federata e Hendbollit, Federata e Skijimit, Federata e Xhudos, Federata e Kalërimit dhe Federata e Triatlonit.
“Ne konsiderojmë se në qoftë se njihen këto pesë federata, Asambleja e KON-it do ta ketë parasysh që sportistët e Kosovës kanë qenë të izoluar për 20 vjet dhe se nuk duhet t’i lërë edhe më tej të izoluar”, ka shtuar Hasani.
Ndërsa, edhe drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj ka theksuar se ndërkombëtarizimi i sportit kosovar do të jetë një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011. Alaj ka shprehur bindjen e tij se në këtë vit KOK-u të bëhet pjesë e KON-it.
“Jemi duke përgatitur riaplikacionet edhe një herë, që t’u drejtohemi institucioneve, federatave gjegjëse, atyre që s’na kanë njohur, që të bëjmë presion. Edhe Federata e Futbollit ka marrë shenja të mira. Mendojmë që viti 2011 do ta përmbyllë njohjen e KOK-ut nga KON-i dhe federatave të tjera kosovare nga federatat gjegjëse ndërkombëtare”, thotë Alaj.
Ai ka paralajmëruar se institucionet shtetërore do të bëjnë presion në institucionet e vendeve të huaja që federatat e tyre sportive ta mbështesin ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.
“Kërkohen 100 njohje që Kosova të njihet në Kombet e Bashkuara. Ndërsa, ka edhe disa shtete që janë anëtare të Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, por që nuk janë në Kombet e Bashkuara. Do të thotë, aty ka edhe ngjyrime politike, por mendoj se sporti nuk duhet t’i ketë ato shenja që janë të dëmshme për marrëdhëniet e popujve në tërësi”, ka përfunduar Alaj.