Vazhdon me Malmon

Talentja kosovare, Elena Sadiku ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te kampioni i Suedisë, Ldb Malmo, edhe pse kishte oferta nga klube të ndryshme suedeze.
Sulmuesja me prejardhje nga qyteti i Lipjanit, ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin nga Damallsvenskan (elita e futbollit suedez në konkurrencën e femrave).
“Kontratën me Lbd Malmon e kam nënshkruar për një vit me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. Nëse njëra palë nuk është e kënaqur, mund të mos e vazhdojë në vitin e dytë”, ka thënë Sadiku për Express.
Sezoni i kaluar për 17-vjeçaren ka qenë i jashtëzakonshëm. Ajo në debutimin e saj për skuadrën seniore të Malmos ka arritur të shënojë gol dhe në fund të shpallet kampione e Suedisë.
Ajo ka zhvilluar 5 ndeshje me ekipin e parë të Malmos, derisa ka realizuar 1 gola dhe një asistim. Sezonin e ri Sadiku shpreson që të zhvillojë më shumë ndeshje me kampionin e Suedisë, e cila nga sezoni i ri do të marrë pjesë edhe në Ligën e Kampionëve.
“Sezoni i ri do të shumë interesant, pasi do të luajmë edhe në Ligën e Kampionëve. Unë jam shumë e gëzuar për këtë pasi do të më hapen dyert që të luajë edhe jashtë Suedisë”, ka thënë kosovarja me pasaportë suedez.
Sadiku, e cila nga ekspertët e futbollit në Suedi llogaritet si një futbollistet me një të ardhme të ndritur, ka disa synime për sezonin e ri. Ndër objektivat e 17-vjeçares është edhe përfshirja në Kombëtare e Suedisë, ku aktivizohet edhe futbollistja mitrovicase, Kosovare Asllani.
”Synimet e mia janë së pari, të mos pësojë lëndime dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve dhe përsëri të fitojmë kampionatin e Suedisë, si dhe pa mëdyshje të luajë për Kombëtaren e Suedisë”, ka përfunduar ajo.