Curri: Jemi më të pjekur, mund të jemi ne surpriza e Grupit D
Shumica e lojtarëve të Kombëtares luajnë bashkë prej një kohe të gjatë, e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe tashmë ndoshta ka ardhur momenti që të korrin frytet e vërteta të lojës së tyre në grup. I këtij mendimi është Debatik Curri, mbrojtësi i Vorskla Poltavës në Ukrainë, i cili militon në përfaqësuesen kuqezi që nga 22 marsi 2006. Këtë bindje të tij e ka përforcuar akoma edhe më shumë fitorja 1-0 në miqësoren ndaj Irlandës së Veriut. “Ishte një ndeshje e luajtur shumë mirë nga ana jonë, pohon Curri. Vendosja taktike dhe organizimi i lojës në pjesën e parë besoj se ishte në lartësinë e duhur, në atë që kemi treguar edhe në ndeshjet tona më të mira zyrtare, përfshirë Suedinë, Portugalinë dhe Danimarkën. Besoj se na vlejti shumë, për të pasur më shumë besim te vetja jonë, sidomos para fillimit të eliminatoreve të Kampionatit Europian”. Shqipëria bën pjesë në Grupin D të eliminatoreve të Euro 2012, me Francën, Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Për Currin, ky është një grup i fortë: “Franca e Rumania dihen, por unë mendoj se Bosnja është një ekip i mirë, me shumë lojtarë cilësorë dhe sipas meje ka për të qenë një nga pretendentët kryesorë në grup. Për sa i përket Shqipërisë, shpresoj të kemi edhe fat, pasi në shumë ndeshje jemi ndëshkuar në minutat e fundit. Ndoshta mund të jemi ne surpriza e këtyre eliminatoreve, tani kemi një ekip shumë më të pjekur”.
#