E Diel, 1 Nëntor 2026

Maxhoranca i thotë “jo” komisionit hetimor të kërkuar nga opozita



Ka dështuar edhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Shqipërisë, e zhvilluar dje, për të miratuar ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, kërkuar nga opozita socialiste. Pas disa raundeve të njëpasnjëshme të negociatave, palët nuk kanë rënë dakord për ngritjen e komisionit, ashtu sikurse kërkohej nga Partia Socialiste. Deputetët e opozitës e akuzuan kryeministrin Berisha si përgjegjësin kryesor për dështimin e negociatave dhe madje për tërheqjen e tij nga premtimet e bëra më parë. Madje, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, theksoi gjatë fjalës së tij se mospranimi i hetimit do të zgjasë dhe do të thellojë me tej krizën politike në vend. Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, është marrë gjatë me kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, duke e akuzuar për bllokimin e vizave dhe për qëndrimet bllokuese që sipas Berishës ka mbajtur për një vit e gjysmë. Berisha e cilësoi projektvendimin e PS-së në kundërshtim me ligjet e vendit. Ai tha se PS-ja po largohet nga kërkesa për hetim dhe po kërkon thjesht kontroll. Berisha gjithashtu tha se nuk mund të kërkohet hetim pa fakte, por vetëm të bazuar mbi dyshime.
Opozita
Në hapje të seancës së djeshme parlamentare, e cila nisi me dy orë vonesë për shkak të konsultimeve të njëpasnjëshme të dy grupeve parlamentare, deputeti socialist, njëkohësisht dhe negociatori kryesor i PS-së, Fatmir Xhafaj, tha se maxhoranca i tha “jo” ngritjes së komisionit hetimor. “Negociatat ndërmjet dy palëve nuk patën një rezultat pozitiv. Natyrisht që jemi shumë të keqardhur për një fakt të tillë, që nuk u krijua mundësia për të pasur një zgjidhje të drejtë dhe konsensuale për këtë vend. Ne risollëm një vendim të ri me vullnetin e mirë, tërësisht konstruktiv, për t’i dhënë zgjidhje krizës, por edhe si shprehje e përgjegjësisë sonë për fatet e vendit. Ky projekt reflektoi në mënyrë të plotë Rezolutën e PE-së, si dhe opinionin e KE-së. Katër elemente sanksionohen në Rezolutën e Parlamentit Europian dhe që gjenin vend në projektvendimin tonë: ngritja e komisionit, shumicën ta ketë opozita, drejtimin opozita, duke vënë në dispozicion të hetimit kutitë e materialeve zgjedhore dhe përfundimet e këtij komisioni të ishin baza për rishikimin e mundshëm të kuadrit ligjor ekzistues”, - është shprehur Xhafaj, i cili e cilësoi refraktar qëndrimin e maxhorancës ndaj këtij vendimi. “Reagimi juaj ndaj këtij projektvendimi ka qenë tërësisht refraktar dhe në kundërsens me nevojën për konsensus. Në relacionin tuaj janë katër ‘jo’ të mëdha. I thuhet jo objektit të hetimit, që është një e drejtë kushtetuese e opozitës. I thuhet jo shumicës në komision, pavarësisht se ishte e drejtë e dhënë nga PE-ja. I thuhet jo hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, por vetëm përdorim të listave të zgjedhësve, një e drejtë e pamohueshme dhe një precedent i zbatuar në komisionin parlamentar hetimor të vitit 2005. Dhe ‘jo’-ja tjetër kishte të bënte me marrjen nga KQZ-ja të materialeve zgjedhore”, - tha Xhafaj. Ai gjithashtu shtoi se maxhoranca në Kuvend është thjesht formale, pasi ai që vendos për të gjithë është kryeministri Berisha. Xhafaj tha se amendamentet e bëra nga maxhoranca janë të papranueshme, pasi synojnë dështimin e hetimit. “Amendamenti shtesë i PD-së është i papranueshëm. PD-ja kërkon që në çdo nen të shkruhet që kërkesa është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Kjo është e panevojshme, pasi në preambulën e projektvendimit shkruhet që bazohet në Kushtetutë dhe ligj. Kjo shtesë prezumon se do të dështojë hetimi. Në mënyrë të qëllimshme ngatërrohet objekti me planin e hetimit. Amendamenti tjetër në pikën 6, në vlerësimin tonë, synon të devijojë qëllimin e hetimit parlamentar, si dhe kërkon të denigrojë rolin e deputetit në Parlament. Komisioni kërkohet të shndërrohet në komision vëzhgimi dhe mbajtës të procesverbaleve të hapjes së kutive. Ky propozim është i padrejtë dhe spekulativ”, - është shprehur Xhafaj. Ai tha se “dështimi i kompromisit bën që kriza të thellohet dhe që zgjedhjet e ardhshme të jenë në rrezik. Duhet të pranojmë se moshapja e këtij procesi është një mesazh inkurajues për manipuluesit dhe abuzuesit e proceseve elektorale. Ju jeni duke krijuar një precedent të rrezikshëm lidhur me të drejtën kushtetuese të çdo opozite për çdo lloj hetimi parlamentar. Në këtë vend nuk ka maxhoranca të përjetshme dhe opozita të përjetshme. Argumentet tuaja janë precedentë që do t’i lidhin këmbët çdo lloj opozite që kërkon të drejtën kushtetuese”, - është shprehur Xhafaj.
Maxhoranca
Kryeministri Berisha, në replikë me deputetin socialist, tha se qëndrimi i ndërmarrë prej një viti e gjysmë nga opozita është një mision i pamundur. Ai e akuzoi Ramën për këtë qëndrim të opozitës. “Ju jeni angazhuar në një mision të pamundur. Ju harruat se misionet e pamundura i ndërmarrin vetëm ata që në politikë, fakultetet mendore i kanë të errësuara tërësisht nga faktorë fondamentalistë, faktorë ekstremë sepse në psikikën e tyre shkatërrimi është pasioni i parë. Kryetari juaj, i cili zbret nga një familje pushteti të vjetër, parashikohet në skenën politike si zëdhënës kryesor i bllokmenëve, si produkt total i bunkerit Bllok, si një njeri që kjo psikologji, ky mentalitet nuk e lejon t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë gjatë 12 viteve në politikë, përveçse truke, shpifje, trillime dhe mashtrime. Një njeri që nuk ka qenë i zoti deri më sot, përveç disa bojërave në pallatet e Tiranës, të nxjerra nga një profesion i tij i dështuar, nuk u nxjerr qytetarëve të tij shqiptarë asgjë tjetër për jetesën e tyre, për të ardhmen e tyre. Ky njeri është i mbrujtur dhe i edukuar, i formuar dhe i betuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë”, - tha Berisha, ndërsa e akuzoi Ramën se ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Më pas, duke iu rikthyer debatit për hetimin parlamentar, Berisha e cilësoi të paligjshme kërkesën e PS-së. “Ju kërkoni hetimin e dyshimit dhe nuk përmendni në asnjë rast fakte apo prova. Çdo njeri që e lexon do të thotë se një dokument i tillë prodhohet në një vend që quhet Dyshimistan. Parimi kushtetues është se nuk ka hetim pa prova e fakte”, - tha Berisha.

Ruçi, Berishës: “Jeni fondamentalist, po ia kaloni edhe Hugo Çavesit”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në replikë me kryeministrin Berisha, e cilësoi atë fondamentalist dhe se me fjalimet e tij të stërgjatura dhe që nuk thotë asnjë, po ia kalon edhe Hugo Çavesit. Më tej Ruçi e akuzoi Berishën se nuk është i gatshëm të ndryshojë Shqipërinë, të kapërcejë krizën politike dhe të zbatojë Rezolutën e PE-së. “Kryeministri nuk është i gatshëm për të ndryshuar Shqipërinë, por kërkon ta mbajë këtë situatë dhe të korrigjojë opinionin e KE-së. Opozita shqiptare, me qëllimin e mirë për të konkretizuar Rezolutën e PE-së, ndërmori një hap për të ngritur një komision hetimor. Sot, shqiptarët dhe ndërkombëtarët marrin përgjigjen se kreu i kësaj maxhorance nuk e pranon Rezolutën dhe nuk bën asnjë qëndrim për të konkretizuar Rezolutën e PE-së. Së katërti, me qëllimin e mirë për të fituar kohën e humbur prej një viti e gjysmë, opozita ndërmori një nismë për herë të dytë, duke përputhur pretendimet tona me atë që tha Parlamenti Europian dhe atë që ka pohuar me gojën e saj maxhoranca e Shqipërisë në të gjitha negociatat që ka bërë në prani të partnerëve ndërkombëtarë. Por ky njeri, pavarësisht nga negocimet dhe premtimet që bën, asnjëherë nuk i mban ato dhe nuk kërkon t’i konkretizojë ato, se e ka krijuar vetë këtë krizë dhe nuk do që ta tregojë në sy të diellit maskaradën elektorale të qershorit. Ai e di që nuk fiton kurrë, ndaj nuk do që kjo e drejtë të dalë dhe në zgjedhjet e ardhshme të bëjë të njëjtën gjë”, - është shprehur Ruçi. “Ju jeni fondamentalist, pasi flisni për funeralin e kundërshtarit politik. Me fjalimet tuaja të gjata dhe që nuk thoni asgjë po ia kaloni edhe Hugo Çavesit”, - ka përfunduar Ruçi.

Propozimet e PS-së
- Hetimi me objekt kontrollin e zbatimit të ligjit mbështetur në kutitë e materialeve zgjedhore, duke hequr dorë nga fletët e votimit.
- Shumica në vendimmarrje të jetë e drejtë e përfaqësuesve të opozitës.
- Drejtimi i komisionit të bëhet nga opozita, e drejtë kjo që e njeh Rezoluta e PE-së.
- Baza e hetimit të jenë kutitë e materialeve zgjedhore dhe KQZ-ja të ketë detyrimin t’ia japë këto komisionit sipas vendimmarrjes përkatëse.

Para seancës zhvillohen tre raunde negociatash PD-PS

Para seancës së djeshme parlamentare janë zhvilluar jo pak, por tre raunde negociatash mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, të cilat kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje. Deputetët e PS-së, Fatmir Xhafa dhe Damian Gjiknuri, janë takuar gjatë ditës së djeshme me negociatorët e PD-së, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi, por edhe ky takim nuk ka sjellë asnjë rezultat në pikën ku kanë ngecur negociatat për mënyrën se si duhet të procedohet me materialet e kutive të votimit. Takimi i zhvilluar dje ishte i treti që nga e enjtja, ku një maratonë e gjatë kuvendore nuk solli asnjë kompromis për krizën e mbetur pezull që pas zgjedhjeve të 2009-s. Lidhur me kutitë e votimit, PS-ja mbështet qëndrimin e saj që materialet zgjedhore t’i vihen në dispozicion komisionit hetimor dhe të mos shkojnë në Arkiv, ashtu sikundërse e parashikon Kodi. Por demokratët nuk lëshojnë pe në këtë pikë.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›