E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: “Në janar, protesta për të larguar këtë qeveri të paligjshme”



Përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i ka bërë thirrje dje popullit opozitar që të bashkohet në protesta gjatë muajit janar, me qëllim rrëzimin e qeverisë së Berishës. Sipas Ngjelës, kjo qeveri është e paligjshme, pasi është ngritur mbi manipulimin e zgjedhjeve. Ai tha se prova për këtë është mospranimi nga ana e maxhorancës e kërkesës së vazhdueshme të opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Më tej, Ngjela, gjatë fjalës së tij, tha se situata ekonomike në Shqipëri është e rënduar, ndërkohë që qytetarët përballen përditë me varfëri e papunësi. Për këto arsye, sipas kryetarit PLD-së, duhet të vazhdojë turi i protestave për t’i dhënë fund paranojës së qeverisë.
Thirrja
“Opozita e Bashkuar e konsideron situatën aktuale tepër të rëndë. Të rënduar nga papërgjegjshmëria e një kryeministri të paligjshëm. Mospranimi për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore është prova e saktë e manipulimit të zgjedhjeve. Tani, me anë të vërtitjeve dhe argumenteve injorante, e gjithë shoqëria shqiptare, opinioni publik ndërkombëtar, kuptoi se zgjedhjet e qershorit 2009 kanë qenë të manipuluara. Opozita e Bashkuar i bën thirrje popullit opozitar që muaji janar të kthehet i gjithi në muajin e protestave për largimin e një qeverie të paligjshme”, - është shprehur Ngjela, ndërsa ka bërë të ditur se situata e rënduar ekonomike ka krijuar një pamundësi jetese në vend.
“Situata ekonomike është e rëndë, gjendja e paligjësisë së kësaj qeverie ka krijuar pamundësi jetese në Shqipëri. Përmbytje, varfëri, papunësi, të gjitha këto të konverguara në një pikë, tregojnë se kemi të bëjmë me një qeveri që drejtohet me paranojë, dhe jo me arsye. Togfjalëshi i dëgjuar rëndom para disa ditësh, prova faktesh dhe grupfaktesh, nuk është koncept juridik, është koncept psikiatrik. Ne nuk mund të pranojmë paranojën për arsye dhe sallatën e fjalëve për argument. Ajo që pranojmë ne është fakti që Shqipëria nuk ka zgjedhje të lira, që shoqëria shqiptare nuk është në demokraci”, - është shprehur përfaqësuesi i koalicionit qeveritar. Sipas Ngjelës, qeveria shpreh mungesë vullneti për t’u dhënë shqiptarëve demokraci. “Kjo qeveri ka manipuluar zgjedhjet. Prova e saktë është ajo që thashë, mospranimi i formulës nga ky kryeministër i paligjshëm për hapjen e materialeve zgjedhore. Të gjitha të tjerat janë lojë fjalësh, paranojë dhe mungesë e theksuar vullneti për t’u dhënë shqiptarëve demokraci”, - ka përfunduar deklaratën e tij përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar.

Berisha për AFP-në: “Akuzat e mediave serbe janë shpifje raciste”

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar dje në lidhje me një shkrim të së përditshmes serbe “Politika”, sipas së cilës, kryeministri shqiptar është marrë me trafik armësh gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999. Kreu i qeverisë shqiptare, gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “AFP”, ka bërë të ditur se këto akuza nuk janë gjë tjetër veçse shpifje të ultranacionalistëve serbë. “Pretendimet e gazetës ‘Politika’, që është zëdhënëse e ultranacionalizmit serb dhe avokate e gjenocidit serb në Bosnjë dhe Kosovë, nuk janë asgjë tjetër veçse shpifje raciste”, - është shprehur kryeministri Berisha për agjencinë e lajmeve “AFP”. Gazeta “Politika” e Beogradit ka shkruar në një artikull se Berisha ka qenë një nga tregtarët kryesorë me armë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ka qenë qendër për blerjen e armatimit. Siç pohon kjo gazetë, emri i Berishës përmendet nga katër dëshmitarë në dokumentet e Prokurorisë serbe për Krime të Luftës. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e cilëson artikullin e kësaj gazete si të lidhur me “histerinë antishqiptare të udhëhequr nga Dik Marti”. Këtë të fundit Berisha e ka quajtur “një racist, që pa asnjë provë, është duke u përpjekur të hedhë baltë në luftën e shqiptarëve të Kosovës”. “Forma, në të cilën janë bërë akuzat, vetëm mund të më nderojë”, - ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërsa ka shtuar se “shpifjet që gazeta ‘Politika’ e Beogradit dhe Dik Marti janë duke propaganduar sërish, dëshmojnë racizmin, verbërinë e tyre dhe zhgënjimin e madh të tyre me çlirimin e një populli”.
Në intervistën për AFP-në, kryeministri Berisha ka vënë në pah se Shqipëria “do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe rastet tjera” nga ana e EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Kryeministri me përfaqësuesit fetarë: “Të lutemi për një vit më të mbarë për shqiptarët”

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në drekën e shtruar nga Komuniteti Shtetëror për Kultet, pas Krishtlindjeve, me krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë, për të festuar së bashku Vitin e Ri. Gjatë përshëndetjes së tij, kryeministri Berisha u shprehu mirënjohje udhëheqësve të besimeve fetare në Shqipëri për ndihmesën e çmuar që kanë dhënë dhe japin, me gjithë përpjekjet e këtij kombi për të ndërtuar idealet e tij demokratike dhe të lirisë, ideale këto sa hyjnore, aq dhe njerëzore. “Jemi mbledhur në këtë drekë me udhëheqësit e besimeve shpirtërore të shqiptarëve, së pari për të falënderuar Zotin bashkërisht për ndihmën, mbështetjen dhe bekimin e tij për vitin që lamë pas. Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës Atij, sepse ky ka qenë një vit i vendimeve të mëdha dhe shumë pozitive për ta”, - u shpreh kryeministri. Duke uruar që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit kudo ku janë, kryeministri Berisha u shpreh: “Të lutemi së bashku që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për të shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit, kudo që janë. Të punojmë me përkushtim në mënyrë që të festojmë çdo vit e më mirë dhe gjendja të ndryshojë për mirë gjithnjë e më shumë. Unë, edhe një herë dua t’u uroj gëzuar udhëheqësve të besimeve fetare, si dhe të shpreh kënaqësinë time që spektri i këtyre besimeve është fuqizuar dhe pasuruar. Me ne këtu sot, krahas udhëheqësve të besimit të krishterë, ortodoks, katolik e mysliman, janë dhe ungjillorët e Shqipërisë. Pak javë më parë u emërua rabini i parë. Pra që të gjitha këto së bashku e bëjnë më të pasur dhe më të çmuar pasurinë shpirtërore fetare të këtij kombi”, - ka përfunduar Berisha.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›