Kodi Elektoral, konsensusi që kërkon të shkelmojë opozita e Edi Ramës
Kodi Zgjedhor aktual është tërësisht konsensual midis PD dhe PS dhe, sipas OSBE/ODHIR dhe Komisionit të Venecias, ai përbën bazë të plotë për zgjedhje demokratike. Por rekomandimet e OSBE/ODHIR, gjithashtu, duhen vlerësuar dhe adresuar si të dobishme për arritjen e standardeve më të larta të mundshme në këtë fushë.
Lidhur me garancitë e zbatimit të Kodit Zgjedhor, sigurisht, që institucionet e vendit dhe forcat politike kanë detyrimin e padiskutueshëm për zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të ligjit zgjedhor. Por, fatmirësisht, zgjedhjet kanë edhe vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, me një praktikë të gjerë dhe metodologji të konsoliduar dhe gjithë-pranuar në vëzhgimin e zbatimit të ligjit në të gjitha periudhat e procesit zgjedhor.
Në zgjedhjet e 29 Qershorit, çdo votë, procesverbal dhe dokument, për të gjitha kutitë e votimit, përveç vetëm pesë prej tyre, pra për 4749 kuti votimi, është i miratuar me unanimitet të plotë dhe ka firmën e mbi 20 mijë komisionerëve të PS. Po kështu, zgjedhjet u vëzhguan nga rreth pesë mijë vëzhgues vendas, të cilët u shprehën se ato ishin të lira dhe të ndershme.
Në raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 28 Qershorit, shkruhet se, “nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultateve dhe numërim të parregullt”.
Në raport vërtet thuhet se pati probleme teknike në 1/3 e qendrave të numërimit, por theksohet se, “këto probleme nuk ndërhyjnë apo nuk ndikuan në procesin e numërimit të votave”.
Pavarësisht nga këto, mazhoranca është shprehur gjithmonë e gatshme për t’i shqyrtuar të gjitha propozimet e opozitës dhe për t’i votuar ato pa mëdyshje, vetëm nëse do të ishte marrë opinioni i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODHIR-it.