E Diel, 1 Nëntor 2026

Maxhoranca miraton me “grushta” ndryshimet në buxhet



Eljona Ballhysa
Maxhoranca ka miratuar gjatë seancë së djeshme me forcën e kartonave, por edhe atë të grushtave, ndryshimet në buxhetin e shtetit. Pavarësisht qëndrimit kundër të opozitës, deputetët e PD-së dhe ata të LSI-së miratuan me 75 vota pro buxhetin shtesë që parashikon ulje të shpenzimeve buxhetore me 39 miliardë lekë. Deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet në buxhet duke argumentuar se përmes tij, ulet fatura financiare dhe sociale për qytetarët. Ata akuzuan qeverinë për mosmenaxhim të mirë të financave publike. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në miratimin për çdo nen të buxhetit, ndërkohë që nuk iu dha e drejta e fjalës për të shpjeguar qëndrimin e tyre kundër. Kjo bëri që situata në sallë të acarohej dhe të përfundonte në grushta me deputetëve. Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkon të drejtën e fjalës dhe drejtohet për nga podiumi ndërsa në dorë mbante një shishe ujë. Kjo bëri që ai të merrte një grusht nga deputeti demokrat Lefter Maliqi. Në sherrin fizik janë përfshirë dhe deputetë të tjerë, si Kadeli, i cili në sherr e sipër mësohet se ka goditur dhe një punonjës të Gardës së Republikës.
Debati
Më parë deputetët nga debatuar për ndryshimet në buxhet. Fillimisht kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Edmond Spaho bëri një përmbledhje të propozimeve që iu bënë projektligjit për ndryshimet në buxhetin e 2010 në Komisionin e Ekonomisë. “Komisioni i Ekonomisë u njoh me propozimet e komisioneve të tjera të përhershme të Kuvendit për ndryshimin e nivelit të shpenzimeve në disa ministri dhe institucione buxhetore të varësisë së tyre. Bazuar në politikat dhe prioritetet buxhetore vjetore e afatmesme, si dhe në mendimin e specialistëve të Ministrisë së Financave për mundësinë dhe burimet e mbulimit të shtesave të propozuara në shpenzimet buxhetore”, - është shprehur Spaho. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode tha se ndryshimet në buxhet nuk kanë sjellë shkurtim të faturës sociale, duke theksuar se kjo faturë është 40 % më e lartë në rrajon, në raport me prodhimin e brendshëm bruto dhe është dyfishuar në raport me të faturën sociale të periudhës së qeverisjes socialiste. “Buxheti konfirmon rritjen e pagave dhe pensioneve në masën më të madhe, që është realizuar në periudhën e qeverisjes suaj,”, - tha ministri Bode, duke theksuar se fondi për ndihmën ekonomike është dy herë më i lartë se në vitin 2004, që socialistët e cilësojnë si vitin më të mirë për këtë çështje. Kryeministri Berisha në fjalën e tij falënderoi deputetët mazhorancës dhe opozitës për trajtimin serioz që i kanë bërë ligjit themelor të menaxhimit të financave të shtetit, siç është ligji i buxhetit. Duke bërë një analizë të hollësishme të krizës globale dhe rrethanave, në të cilat po zhvillohet ajo, kryeministri shqiptar shpjegoi domosdoshmërinë e ndryshimeve në buxhetin e këtij viti. Më tej, në fjalën e tij përpara deputetëve Berisha tha se këto ndryshime u diktuan nga dinamizimi i prioriteteve dhe përparësive, që qeveria ka për zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit. “Ne vijmë para qyetarëve duke propozuar shkurtimin e shpenzimeve të larta administrative, mbi të gjitha si një vendosmëri e kësaj qeverie për të çuar mesazhet më pozitive në qarqet financiarë të vendit, rajonit, Europës e më gjerë,” - u shpreh ndër të tjera, Berisha. Kryeministri tha se pavarësisht ndryshimeve në nbuxhet do të vazhdojnë investimet në infrastrukturë, veçanërisht në shtimin e rrugëve rurale. Kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi tha se kryeministri mbajti demagogjinë e radhës dhe kujtoi se opozita qysh në muajin nëntor kishte kërkuar ndryshim të buxhetit, nisur nga kriza globale. Duke iu drejtuar deputetëve të Grupit Parlamentar Socialist, Berisha tha se opozita e vërtetë parlamentare bëhet me platformë dhe jo me nihilizëm, apo me dordolecë të analizës ekonomike. Madje Berisha me një gjuhë të ashpër akuzoi deputetët socialistë se kanë qenë ngelës në mësime dhe bëri publike mesataret e tyre të notave. “Dëgjoni kam notat tuaj në regjistra dhe e di sa kapacitet keni. Arta Dade e ka 6.5; zonja Berberi ka mesataren 6; zonja Seseri, 9.7; Arben Malaj e ka 5; Shega Shegushja e ka 9.8, dhe e ka të lartë se në fjalimin për diplomën mbajti fjalimin e kryetarit”, - tha Berisha. Kjo deklaratë e Berishës solli reagimin e opozitës. “Prisja që kryeministri të fliste me seriozitet për cfarë kërcënohet ekonomia ndaj shkurtimeve, por ai e paska marrë seriozisht për të fyer zonja dhe zotërinj të nderuar të PS-së”,- tha Meksi që më pas argumentoi se pse nuk duhen votuar shkurtimet në buxhet. Më e drejtpërdrejtë ka qënë deputetja Ligori. “Është e vërtetë që gjatë gjithë jetës sime kam marrë vetëm nota 10-ta. Si avokate kam qënë e shkëlqyer, e suksesshme dhe kam përfaqësuar denjësisht deri tani popullin që më ka votuar. Por, ja ku po them se kryeministri është rast i pashpresë, sepse kemi para syve një familje kryeministrore që shton apartamente, ministra që deklarojnë si pa të keq miliona, kemi një qeveri kryesisht të korruptuar”, - është shprehur Ligori. Ndërsa kryeministri Berisha i ka cilësuar deklaratat e opozitës të rreme. Duke mbrojtur draftin e rishikimit të buxhetit 2010, kryeministri pohoi se ekonomia shqiptare ka dyfishuar rritjen e saj.
Por, menjehere pas Berishes ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi që deklaroi se qeveria nuk pranon se vendi është në krizë ekonomike.
Në seancën e fundit të Kuvendit, duke reaguar pas deklaratave të kryeministrit Berisha, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se opozita që në nëntor ka bërë një mbledhje të forumit më të lartë të saj dhe ka paralajmëruar për krizën dhe ka kërkuar të ndryshohet buxheti. Sipas Ruçit, qeveria u vonua 9 muaj për ta ndryshuar buxhetin, ndërsa ritheksoi se “po të kishte dëgjuar alarmin tonë, ekonomia nuk do ishte këtu ku është sot”.

Garda, padi ndaj Gjovalin Kadelit

Garda e Republikës do të marrë masa ligjore ndaj deputetit socialist Gjovalin Kadeli. Në një njoftim për shtyp Garda e Republikës ka bërë të ditur se gjatë seancës së djeshme plenare, deputeti Gjovalin Kadeli ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës. “Goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur.
Garda e Republikës do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për këtë ngjarje.
Sipas Nenit 20, pika 1, të ligjit 8869 datë 22.05.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, ‘punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohet sipas dispozitave të kodit penal”, - shkruhet në njoftimin për shtyp.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›