Ligji i SHISH-it, telefonata që detyroi Berishën ta tërheqë sërish
Vetëm një ditë pas debatit të ashpër të zhvilluar në seancën e së enjtes, për projektligjin e SHISH-it, kryeministri Berisha, mësohet të ketë marrë një telefonatë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen. Burimet kanë bërë të ditur se Rasmusen i ka telefonuar Berishës ditën e premte pasdite dhe biseda e gjatë mes dy politikanëve është përqendruar, pikërisht tek projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Mësohet se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka kërkuar që ky projektligj të mos miratohet në Kuvend pa marrë më parë konsulencën e ekspertëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Tërheqja
Duket se ka qenë pikërisht kjo telefonatë që ka ndikuar në tërheqjen e menjëhershme të qeverisë nga projektligji i SHISH-it. Kjo, për faktin se gjatë seancës të së enjtes, kryetarja Topalli i la vetëm 24 orë kohë opozitës, duke nënkuptuar se drafti do të diskutohej në seancën e së hënës, pra gjatë ditës së djeshme. Por gjatë ditës së djeshme, deputetët nuk kanë qenë vënë në dijeni për rendin e ditës. Në minutën e fundit është vendosur që gjatë seancës së djeshme, të mos diskutohej për asnjë projetligj tjetër, përveçse për buxhetin e shtetit, duke gjetur një pretekst për tërheqjen e projektligjit të SHISH-it.
Kjo është telefonata e dytë që Berisha ka marrë në Rasmusen, pikërisht për projektligjin e SHISH-it. Telefonata e parë është zhvilluar muaj më parë, kur qeveria solli në Kuvend draftin për SHISH-in. Madje, Rasmusen, kur vizitoi Tiranën në muajin mars, e ka konfirmuar bisedën e zhvilluar me Berishën në telefon për draftin për SHISH-in. Gjatë ditë së premte, Rasmusen nuk ka nguruar, por sërish ka ngritur receptorin dhe i ka telefonuar kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa i ka kërkuar që drafti të konsultohet me ekspertët e NATO-s, para se të miratohet. Mësohet se para kësaj telefonate, Berisha i ka dërguar Rasmusen një letër, në të cilën i bën me dije tërheqjen e qeverisë shqiptare nga ndryshimet në ligj, me kusht që të kufizohet mandati i drejtorit të SHISH-it. Burimet kanë bërë të ditur se kreu i qeverisë shqiptare ka kërkuar përcaktimin e një mandati të kufizuar për kreun e SHISH-it. Kjo, për faktin se, çdo zyrtar i lartë duhet të ketë një mandat dhe të mos qëndrojë në krye të një institucioni për një periudhe të pakufizuar. Madje, Berisha, u shpreh pak ditë më parë, për mediat, se çdo zyrtar i NATO-s ka mandat të përcaktuar qartë dhe të kufizuar dhe sipas tij e njejta gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri me Drejtorin e Përgjithshëm të SHISH-it.
Ndikimi
Mësohet gjithashtu se edhe ambasada amerikane në Tiranë ka ndikuar që qeveria shqiptare të tërhiqet nga ky projektligj. Zyrtarë të kësaj ambasade kanë zhvilluar bisedime me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministrin e Jashtëm, Ilir Metën. Ata i kanë bërë të ditur Metës së nëse qeveria miraton draftin, pa marrë më parë mbështetjen e SHBA-ve dhe të NATO-s, rrezikon seriozisht statusin e vendit anëtar në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ndikimi i amerikanëve bëri që zëvendëskryeministri Meta të dilte kundër qëndrimit të qeverisë në seancën e së enjtes. Ai u shpreh publikisht kundër projektligjit, duke theksuar se ai dhe deputetët e tjerë të LSI-së nuk do të votojnë një projektligj që ende nuk ka marrë konsultën e ndërkombëtarëve. Ndërkohë, që një ditë më pas, Meta doli në mbështetje të amendimit më të fundit të PD-së, për kufizimin e mandatit të kreut të SHISH-it. Mësohet se pikërisht ky amendim, që është rrëzuar nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, do të futet sërish për diskutim nga PD-ja në sesionin e ardhshëm parlamentar, që fillon në muajin shtator. Ende nuk bëhet e ditur, nëse PD-ja do të tërhiqet përfundimisht nga ndryshimet e tjera të propozuara për Shërbimin Informativ Shtetëror.
Kuvendi nuk shpërndan rendin e ditës
Ndërkaq kuvendi nuk ka shpërndarë rendin e ditës së punimeve të seancës së djeshme parlamentare. Deputetët e opozitës deri në çastin e fundit nuk e kanë ditur se seanca e djeshme parlamentare do të ishte vetëm për miratimin e ndryshimeve në buxhet. Madje ata ishin përgatitur për diskutimin dhe shqyrtimin e projektligjit për SHISH-in që shkaktoi debate të ashpra gjatë seancës së kaluar parlamentare. Gjatë pasdites së djeshme zyra e shtypit pranë Kuvendit ka sqaruar se kalendari i zakonshëm i punimeve të Kuvendit është mbyllur më datën 22 korrik ndërkohë që seanca e djeshme ka qenë programuar që të ishte posaçërisht për diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve në buxhet. “Sot është seanca e fundit me kalendarin e buxhetit. Çdo projektligj i seancës së fundit të 22 korrikut , do të mbartet dhe do të jetë në rend dite, në sesionin e ardhshëm”,- është shprehur Topalli.
Debati
Ruçi-Berishës: “E tërhoqët draftin për SHISH-in se nuk i keni numrat”
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend u shpreh se qeveria nuk i ka numrat ndaj e tërhoqi projektligjin për SHISH-in. Ai i tha Berishës se de jure është i rrëzuar politikisht. “Ne po shohim se je i sëmurë politikisht. Je i sëmurë politikisht për arsye se ju bëni sikur s’ka ndodhur gjë. Ne në këtë seancë, që e filluam dy orë me vonesë, vijmë pas një seance maratonë, të cilën jemi përplasur prej 4 orësh për një problem të madh, ku sot vihet në diskutim, qeverisja jote, numrat e tu. Thojani publikut shqiptar, që sot ju jeni në një krizë politike. Sot ju “de jure” jeni rrëzuar politikisht si qeveri. Kjo është edhe arsyeja që ju kërkoni ta shpërndani, si shkatërrues i mirëfilltë që jeni, topin, sa tek ata që janë në sallën e parlamentit, aq edhe tek ata që s’janë në sallën e parlamentit. E pra z. kryeministër, ju erdhët këtu që të bëni demagogjinë e radhës dhe mashtrimin e radhës për shqiptarët. Keni krizë politike. As partnerëve tanë ndërkombëtarë nuk ju dhe përgjigje dhe as publikut shqiptar nuk i dhe përgjigje. Pse po e mban krizën politike të pazgjidhur? Ne kemi qenë dhe ju keni autorizuar përfaqësuesit tuaj të grupit parlamentar, ashtu sikurse grupi jonë parlamentar ka autorizuar drejtuesit e vet. Po kriza s’po zgjidhet. Kemi krizë të demokracisë, z. kryeministër, pse s’po e zgjidhni? Kemi krizë institucionale, z. kryeministër, pse s’po e zgjidhni? Por përkundrazi, sikur s’ka ndodhur gjë në këta muaj, sikur s’ka ndodhur gjë seancën e kaluar dhe sot vijmë këtu vetëm se s’keni numra për të mos reklamuar rrëzimin e kabinetit tuaj”, - është shprehur kreu i grupit të PS-së. Ndërsa kryeministri Berisha ftoi opozitën që të bëjë mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha për të vërtetuar nëse kjo qeveri i ka apo jo votat. “Përsa i përket votave të ftoj të bësh një mocion, por jeni pa kokrra mor zotëri. Ai që ju ka prurë ju këtu, ju ka lënë pa kokrra dhe prandaj nuk bëni dot mocione ju. Bëj mocione dhe provojeni. Para se të flasësh për kriza, bëj hesape. Më bëj mocion dhe vij në çdo kohë. E thërras në mënyrë të veçantë parlamentin po deshe”, - është shprehur Berisha.
27 Korrik 2010