Mazhoranca: Kompleksi parlamentar, i rëndësishëm për vendin
Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar, projektligji kalon në parlament brenda këtij sesioni
Deri në fund të këtij muaji mazhoranca do të miratojë një ligj të posaçëm që do të lehtësojë procedurat për ndërtimin e parlamentit të ri aty ku sot ndodhet Piramida. Deputeti demokrat Sherefedin Shehu sqaron se ky ligj është në funksion të rëndësisë së veprës si dhe ndihmon ne rregullimin e marrëdhënieve mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Deputeti demokrat Shehu, i cili ishte pjesë e një grupi deputetësh që negociuan në Arabinë Saudite për financimin e kompleksit të ri parlamentar, deklaron se shteti saudit ka rënë dakord për të mbështetur projektin me një shume prej 100 milionë euro.
Projekti që pritet të kalojë në parlament nuk parashikon ndonjë datë për prishjen e piramidës, e cila do të vendoset më vonë nga strukturat e parlamentit si investitori i kësaj vepre. Pak ditë më parë ishte Gjykata Kushtetuese që formalisht i hapi rrugë ndërtimit të kompleksit, duke rrëzuar një kërkesë ankimore të bashkisë së Tiranës, për të shpallur të paligjshëm vendimin e Kuvendit. Anëtarët e Kushtetueses e hodhën poshtë kërkesën me pretendimin e mungesës së argumenteve. Më 24 mars një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fitues të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi. Kompleksi i ri parlamentar pritet të përurohet në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet aty ku sot ndodhet Piramida.