Servet Pëllumbi: Sherret e brendshme e kanë përçarë PS-në, ajo s’vjen dot në pushtet

Ish kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, analizon zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, duke i përshkuar ato si kaotike dhe pa perspektivë për të ardhmen politike të saj. Veçanërisht, vëren Pëllumbi, reprezaljet u theksuan në PS, që prej ardhjes në krye të saj, të Edi Ramës. Sipas tij, kryetari aktual i PS-së dhe njëherazi lideri i opozitës së majtë, ka kultivuar sherr brenda saj, duke demotivuar elektoratin e majtë, ku pasojë e së cilave janë dështimet në 3 palë zgjedhje. “Si në të gjithë shoqërinë shqiptare, edhe në gjirin e socialistëve kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme reformimi, aftësimi për të qeverisur vendin dhe për të bërë opozitë për vite të tëra. Pozitive është që gjatë tërë këtyre viteve janë bërë përpjekje për të zhvilluar demokracinë e brendshme dhe mendimin ndryshe, por njëherësh janë akumuluar edhe potenciale negative të një lufte të brendshme që ka çuar deri në përçarje me pasoja të rënda, sidomos gjatë disa fushatave elektorale. Mësimi që del nga një proces i tillë plot kundërshti është: Sherret brenda vetes dhe sidomos përçarjet e thella sjellin humbje, kurse bashkimi, koherenca ideore, politike e organizative sjellin rritje të besimit tek alternativa e majtë dhe fitore”- thotë Pëllumbi.