Urrejtja, si konstante e politikës së Ramës
Indoktrimi i udhëheqësit legjendar të Partisë Socialiste pati një ditë tjetër lavazh truri për anëtarët e rinj të Asamblesë Socialiste. Dje, gjatë një Mbledhjeje të Partisë, Edi Rama u foli atyre për fitoret e ardhshme, të sigurta. Me anë të një editoriali të drejtuar nominalisht të pranishmëve, kreu i PS-së, Rama u ka theksuar dhe një herë tjetër domosdoshmërinë e unitet të partisë, ngase “Fitorja nuk duhet të vijë me iluzionin se do marrim gjysmën e Saliut”. Se kush është gjysma e Salit shumë prej të pranishmëve nuk e kanë kuptuar, ngase s’e kanë të qartë nëse Rama i referohej LSI-së, apo ndonjë partie, e dalë nga aleanca e plehut. Megjithatë Rama, pa iu dridhur qerpiku i zi, tha: “Votat ne i kemi, na duhet vetëm të organizohemi për fitore. Do fitojmë duke u organizuar me moral”. Mirëpo kjo është një e pavërtetë. Partia Socialiste në votë plebishitare ka humbur në dy palë zgjedhje, dhe është pothuajse minus 142 mijë vota, sipas rezultateve të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Fjalët për t’u mbushur mendjen anëtarëve të rinj të Asamblesë nuk i ka zgjedhur fort mirë. Sepse sa për “moral të organizuar për fitore” është paksa e vështirë për të akumuluar, pas agjendës konfliktuale 2-vjeçare, ku vlonte protesta me djegie gomash, bllokimeve rrugës, bllokime bulevardi me grevë urie dhe demonstrata të dhunshme, cka larguan edhe më aspiratën e vendin për t’u integruar në BE.
Sakaq me kursin e ri “votat” Partia Socialiste nuk i ka më aq të sigurta, pasi krerët e partive të opozitës janë të hutuar prej rreth-rrotullimeve 180 gradë të kreut të Partisë Socialiste i cili nga radikalizmi ekstrem për 2 vite me radhë është shndërruar në një qengj të butë, që blegërin për reforma gjithëpërfshirëse, etj. Krerët e partive të vogla të opozitës ndjehen të frustruar prej vendimeve të Ramës, ngase ky i ka keqpërdorur gjatë agjendës radikale dy vjeçare, çka do të thotë se e kanë më të vështirë për të ndryshuar kurs sa hap e mbyll sytë. Në politikë kanë një koherencë për t’u mbrojtur, aq më shumë kur je një faktor me mundësi të kufizuara politike.
Dy qejfmbetësit janë kreu i PDS Paskal Milo dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule, dy parti që kanë rreth 90 mijë vota opozitare, sipas rezultateve të fundit lokale. Dyshja, Dule dhe Milo i kanë refuzuar të gjitha ftesat e përbashkëta për një tryezë të opozitës, sapo Kreu i PS shpalli surprizë “kursin e ri”, që përkthehet me heqjen dorë të protestave dhe manifestime të dhunshme, hyrje në parlament dhe bashkëpunim për të votuar disa ligje me 3/5. Të pa-konsultuar për këtë ndryshim, që i nxirrte jashtë loje, nga reformat e mëdha, të dy këto parti janë tërhequr nga mbështetja për Ramën, çka do të thotë se koalicionit të prirë nga PS-ja, i mungojnë rreth 90 mijë vota.
Sidoqoftë nuk është hera e parë që Rama trafikon për mediat fjalëkalim për militantë, meqenëse, Mbledhja e djeshme e Partisë ishte e mbyllur në bunkerin ideologjik, që ushqen urrejtjen për kundërshtarin: Saliun. Siç thotë në një shkrim intelektuali Umberto Eko, “Prirja jonë për t’u kënaqur me urrejtjen është kaq e natyrshme sa duket lehtësisht e kultivueshme”. Po të lexosh masturbimet e fundit publicistike të Ramës një konstante e gjen plotësisht urrejtja për Saliun, që është ndërkohë kryeministri Sali Berisha. Duket sikur kryeministri Berisha, i ka marrë bukën nga dora, dhe ai si fëmijë mallkon, shan, qan, dhe rrëfen mënyrën sesi Saliu ia mori fitoren nga goja.